Presion ndaj punonjësve të Hipotekës Vlorë pas peticionit, pezullohet puna
Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit kundër zhvendosjes së zyrave në kryeqytet, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i ASHK Vlorë Sokol Shehaj.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra, shkruan Euronews.al.
Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës. Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.
Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.
Ndërkohë, qytetarët të cilët janë gjendur sot përpara derës së kadastrës së Vlorës shprehen kundër vendimit për largimin e institucionit.
Me dokumentacione në duar ata thonë se ky vendim vetëm sa jua shton hallet dhe problemet. Sipas qytetarëve Kadastra duhet të qëndrojë në Vlorë dhe vendimi të rishikohet.


