Presidentja sllovene pëson aksident rrugor, dërgohet në spital
Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, është përfshirë në një aksident rrugor gjatë kthimit nga Kroacia, ku ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, aksidenti ndodhi në tunelin Kastelec, ndërsa pas përplasjes Pirc Musar u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Izolës, ku qëndroi nën vëzhgim mjekësor. Ajo u lirua sot dhe do të vazhdojë rikuperimin në shtëpi, shkruan N1.
Aksidenti ndodhi gjatë kthimit nga Republika e Kroacisë, ku presidentja sllovene po kalonte pushimet vjetore. Në momentin e ngjarjes, ajo ishte nisur drejt Komendës, ku do të merrte pjesë në një aktivitet zyrtar si patronazhe nderi.
Sipas policisë së Koperit, aksidenti u raportua dje në orën 16:57 në autostradën në drejtim të Lubjanës. Në përplasje u përfshinë dy automjete zyrtare policore, pjesë e kolonës shoqëruese të presidentes.
Nga të dhënat paraprake rezulton se dy persona u lënduan në aksident. Njëri prej tyre pësoi lëndime të lehta, ndërsa personi tjetër mori lëndime të rënda trupore. Të dy u dërguan me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Izolës.
Pas aksidentit, tuneli Kastelec u mbyll përkohësisht për qarkullim për shkak të ndërhyrjeve emergjente dhe hetimeve në vendngjarje. Trafiku u rikthye normalisht në orën 20:19.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Specializuar e Shtetit të Sllovenisë. /Telegrafi/


