Please enter at least 3 characters.

Premtoi ndërmjetësim për prona dhe mori para – Prokuroria në Prizren jep detaje nga arrestimi i zyrtarit të Agjencisë Pyjore

2020/05/Prokuroria-Themelore-Prizren.gif

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje rreth arrestimit të zyrtarit të Agjencisë Pyjore të Kosovës, I.O., i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, arrestimi u krye më 18 gusht 2025 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) – Njësitin në Prizren.

“Ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme,” theksohet në njoftim.

Nga hetimet është zbuluar se i dyshuari duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.

I.O. ndodhet në ndalim 48 orësh me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria ka njoftuar se brenda ditës do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit.

Në njoftim theksohet gjithashtu ky rast është shembull i qartë i efektivitetit të masave të veçanta hetimore dhe i vendosmërisë sonë në goditjen e korrupsionit.

“Prokuroria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të çdo individi që abuzon me funksionin publik dhe bie ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/