Prebreza: Shkolla e Lismirit do të zëvendësohet me objekt të ri, mësimi vazhdon përkohësisht në ndërtesën ekzistuese
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar se mësimi në shkollën e fshatit Lismir do të vazhdojë gjatë këtij viti shkollor në objektin ekzistues, pavarësisht gjendjes së rënduar të tij.
Prebreza ka bërë të ditur se gjatë një takimi me banorët e Lismirit është diskutuar për gjendjen e shkollës, e cila, sipas tij, është e vjetërsuar, ndodhet në zonë të rrezikuar nga vërshimet dhe gjatë reshjeve përballet me depërtim të ujit, lagështi dhe erë myku.
Ai ka thënë se u ka propozuar banorëve që përkohësisht nxënësit të vijojnë mësimin në Gjimnazin “Hivzi Sylejmani”, me transport të organizuar dhe të financuar nga Komuna, por shumica e tyre kanë kërkuar që mësimi të vazhdojë në Lismir.
Duke respektuar këtë kërkesë, Prebreza ka njoftuar se Komuna do të ndërhyjë në objektin ekzistues me masat e mundshme, përfshirë zëvendësimin e çezmave të ujit dhe lyerjen e mureve të klasave.
Megjithatë, ai ka theksuar se këto janë vetëm ndërhyrje të përkohshme dhe nuk e zgjidhin problemin në themel.
Sipas Prebrezës, zgjidhja afatgjatë është ndërtimi i një shkolle të re, moderne dhe të sigurt për fëmijët e Lismirit. Ai ka bërë të ditur se ndërtimi i shkollës së re është i paraparë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Komunës së Fushë Kosovës.
Prebreza ka sqaruar gjithashtu se projekti për ndërtimin e impiantit, i cili ndikon në përcaktimin e lokacionit të shkollës, buron nga marrëveshjet e Kosovës me Francën të viteve 2016–2017 dhe se shtyrja e punimeve për vitin e ardhshëm nuk e anulon projektin.
Ai ka thënë se hapi i radhës është përcaktimi i një lokacioni të përshtatshëm dhe të sigurt për shkollën, pas së cilit Komuna do të vijojë me procedurat për realizimin e projektit.
“Unë nuk do të merrem me përçarjen. Do të merrem me zgjidhjen”, ka deklaruar Prebreza.
Ai ka bërë thirrje që çështja e shkollës dhe e fëmijëve të mos përdoret për përplasje politike, duke theksuar se vendimet duhet të merren mbi bazën e fakteve, kushteve profesionale dhe interesit afatgjatë të nxënësve. /Telegrafi/


