Postbiotikët: Çfarë janë dhe pse po flitet gjithnjë e më shumë për ta?
Mr.Ph. Diellza S. Mustafa
Kur flasim për shëndetin e zorrëve, zakonisht përmendim probiotikët dhe bakteret “e mira”. Por shkenca po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje edhe asaj që këto mikroorganizma prodhojnë dhe mënyrës se si ndikojnë në organizëm. Këtu hyjnë edhe postbiotikët
Mr.Ph. Diellza S. Mustafa
Mikrobioma e zorrëve është shumë më tepër sesa një grumbull bakteresh. Mikroorganizmat që jetojnë në traktin tretës marrin pjesë në procese të shumta dhe prodhojnë substanca që mund të ndikojnë në barrierën e zorrëve, metabolizëm dhe funksionimin e sistemit imunitar.
Ndër produktet më të rëndësishme të aktivitetit të tyre janë acidet yndyrore me zinxhir të shkurtër, si acetati, propionati dhe butirati. Ato formohen kryesisht kur bakteret e zorrëve fermentojnë fibrat që marrim me ushqim.
Çfarë janë postbiotikët?
Postbiotikët nuk duhet të ngatërrohen me probiotikët.
Probiotikët janë mikroorganizma të gjallë që, kur përdoren në sasinë e duhur, mund të sjellin përfitime për shëndetin.
Postbiotikët, ndërkaq, janë përgatitje që përmbajnë mikroorganizma të inaktivizuar dhe/ose përbërës të tyre, për të cilat është treguar një përfitim shëndetësor.
Pra, postbiotiku nuk është thjesht një “bakter i vdekur”.
Një probiotik që ka humbur aktivitetin gjatë ruajtjes apo që ka kaluar afatin e përdorimit nuk shndërrohet automatikisht në postbiotik. Përgatitjet postbiotike prodhohen në mënyrë të kontrolluar dhe efekti i tyre duhet të vlerësohet shkencërisht.
Kjo është një dallim shumë i rëndësishëm edhe për konsumatorin.
Pse janë të rëndësishme substancat që prodhojnë bakteret?
Bakteret e zorrëve fermentojnë fibrat ushqimore dhe gjatë këtij procesi krijojnë një numër metabolitësh. Ndër më të studiuarit janë acetati, propionati dhe butirati.
Butirati është veçanërisht i rëndësishëm për qelizat e zorrës së trashë, sepse shërben si burim energjie për to dhe lidhet me ruajtjen e integritetit të barrierës intestinale.
Propionati metabolizohet kryesisht në mëlçi dhe merr pjesë në procese të ndryshme metabolike.
Acetati, i cili zakonisht është më i bollshmi nga këto acide yndyrore, mund të kalojë në qarkullim dhe të marrë pjesë në procese të ndryshme metabolike në organizëm.
Kjo tregon pse sot shkencëtarët nuk interesohen vetëm për pyetjen: “Cilat baktere kemi në zorrë?”, por edhe për pyetjen: “Çfarë prodhojnë këto baktere?”
Mikrobioma komunikon me pjesën tjetër të organizmit
Zorra nuk funksionon e izoluar.
Mikrobioma është pjesë e një rrjeti kompleks komunikimi me sistemin imunitar, metabolizmin, sistemin nervor dhe organe të tjera.
Një shembull është aksi zorrë-mëlçi. Gjaku që vjen nga sistemi tretës kalon drejt mëlçisë përmes venës portale dhe sjell me vete lëndë ushqyese dhe produkte të metabolizmit mikrobik. Nga ana tjetër, mëlçia prodhon acide biliare që arrijnë në zorrë, ku bakteret mund t'i modifikojnë më tej.
Në këtë mënyrë krijohet një komunikim i vazhdueshëm mes zorrëve dhe mëlçisë.
Edhe lidhja ndërmjet zorrëve dhe trurit është objekt i shumë studimeve. Sinjalet nervore, imunologjike dhe metabolike marrin pjesë në atë që njihet si aksi zorrë-tru.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo ndryshim në mikrobiomë shkakton drejtpërdrejt ndryshime në humor apo në funksionimin e trurit. Kjo fushë është komplekse dhe ende po studiohet intensivisht.
A janë postbiotikët më të mirë se probiotikët?
Jo domosdoshmërisht.
Pyetja nuk duhet të jetë se cili është “më i mirë”, por për çfarë qëllimi përdoret një produkt dhe çfarë provash ekzistojnë për të.
Një avantazh i mundshëm i postbiotikëve është se mikroorganizmat në këto përgatitje nuk janë të gjallë. Kjo mund ta bëjë produktin më të qëndrueshëm gjatë ruajtjes dhe në disa raste mund të ofrojë avantazhe praktike.
Por kjo nuk do të thotë se çdo produkt i etiketuar si postbiotik ka të njëjtin efekt.
Jo çdo postbiotik vepron njësoj
Kjo është ndoshta këshilla më e rëndësishme për konsumatorët.
Nuk mjafton që në paketim të shkruajë vetëm “postbiotik”.
Efekti mund të varet nga mikroorganizmi prej të cilit është prodhuar preparati, mënyra e përpunimit, përbërja, doza dhe problemi shëndetësor për të cilin është studiuar.
Prandaj duhet pasur kujdes me pretendime të përgjithshme si: “rregullon mikrobiomën”, “forcon imunitetin”, “përmirëson humorin” ose “zgjidh problemet e zorrëve”.
Një produkt nuk duhet të vlerësohet vetëm nga fjalët në reklamë, por nga provat që ekzistojnë për përbërjen konkrete të tij.
Çfarë duhet të kontrolloni para se të blini një produkt?
Nëse mendoni të përdorni një preparat me postbiotikë, shikoni nëse prodhuesi tregon qartë:
▪ çfarë mikroorganizmi ose përgatitjeje përmban produkti;
▪ për çfarë efekti është studiuar;
▪ çfarë sasie rekomandohet;
▪ dhe nëse pretendimet shëndetësore mbështeten në të dhëna shkencore.
Në rast të sëmundjeve kronike, trajtimeve të vazhdueshme, shtatzënisë ose përdorimit te fëmijët, është e arsyeshme që zgjedhja e suplementit të diskutohet me mjekun ose farmacistin.
E ardhmja e studimit të mikrobiomës nuk qëndron vetëm te numërimi i baktereve që jetojnë në zorrë. Gjithnjë e më shumë rëndësi po merr ajo që këto mikroorganizma prodhojnë, mënyra se si komunikojnë me organizmin dhe se cilat prej këtyre mekanizmave mund të përdoren në mënyrë të sigurt për shëndetin. /Telegrafi/


