Please enter at least 3 characters.

Portugalia bëhet shteti i parë anëtar i BE-së që i bashkohet iniciativës HealthAI

Portugalia është bërë shteti i parë anëtar i Bashkimit Evropian që i është bashkuar rrjetit global të HealthAI, një iniciativë që synon mbikëqyrjen dhe rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në kujdesin shëndetësor.

Marrëveshja mes rregullatorit portugez të shëndetësisë Infarmed dhe organizatës jofitimprurëse me seli në Gjenevë, HealthAI, i mundëson Portugalisë qasje në një katalog të mjeteve të AI-s në shëndetësi të verifikuara nga autoritetet rregullatore, si dhe në një sistem paralajmërimi në kohë reale për raportimin e incidenteve të mundshme.

Portugalia i bashkohet kështu vendeve si Mbretëria e Bashkuar, India, Brazili, Singapori, Filipinet, Indonezia, Vietnami, Zambia dhe Peruja në Rrjetin Global Rregullator të HealthAI (GRN), shkruan reuters.

Nisma HealthAI synon të krijojë standarde dhe rregulla të përbashkëta për përdorimin e sigurt dhe efektiv të inteligjencës artificiale në mjekësi, ndërsa vendet evropiane po përgatiten për zbatimin e rregullave të reja të BE-së për inteligjencën artificiale.

Presidenti i Infarmed, Santos Ivo, tha se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore për menaxhimin e kësaj teknologjie.

Drejtori ekzekutiv i HealthAI, Baptista Leite, theksoi se vendimet rregullatore të Evropës do të kenë ndikim global në mënyrën se si qeveriset inteligjenca artificiale në shëndetësi. /Telegrafi/