Please enter at least 3 characters.

Policia turke arreston 13 opozitarë

Policia turke ka arrestuar 13 persona në kuadër të një hetimi lidhur me kongresin e vitit 2023 të Partisë Republikane Popullore (CHP), kanë raportuar mediat shtetërore të shtunën, pas një vendimi gjyqësor që rrëzoi udhëheqjen e partisë së kryesuar nga OzgUr Ozel.

Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit njoftoi se të dyshuarit janë ndaluar në shtatë provinca të ndryshme të Turqisë, nën akuzat për ndërhyrje në votimin e delegatëve gjatë kongresit të vitit 2023.

Ata përballen me akuza për “shkelje të ligjit për partitë politike”, “pranim ryshfeti” dhe “pastrim të parave të përfituara nga aktivitet kriminal”. Gjatë operacioneve janë kryer kontrolle dhe sekuestrime në Stamboll, Ankara, Izmir, Şanlıurfa, Kahramanmaraş, Kilis dhe Malatya.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka anuluar kongresin ku ishte zgjedhur Ozgur Ozel, duke përmendur parregullsi të pa specifikuara. Në vend të tij, gjykata ka rikthyer në krye të partisë ish-liderin Kemal Kılıçdaroglu, i cili më herët kishte humbur zgjedhjet presidenciale përballë Recep Tayyip Erdogan.

CHP e ka dënuar vendimin, duke e cilësuar si një “grusht shteti gjyqësor”, ndërsa Ozel ka premtuar se do ta kundërshtojë përmes rrugëve ligjore dhe se do të qëndrojë personalisht “ditë e natë” në selinë e partisë në Ankara.

Analistët vlerësojnë se ky vendim, i konsideruar si një provë e balancës së brishtë të Turqisë mes demokracisë dhe autoritarizmit, mund të ndikojë në zgjatjen e sundimit 23-vjeçar të Erdoganit, në një kohë kur vendi po përballet edhe me sfida ekonomike, përfshirë inflacionin e lartë, sipas Reuters.

Zgjedhjet e ardhshme kombëtare janë planifikuar për vitin 2028, por mund të mbahen më herët nëse Erdogan, i cili përballet me kufizime kushtetuese të mandatit, vendos të rikandidojë. Vendimi gjyqësor është parë si një faktor që mund të rrisë gjasat për zgjedhje të parakohshme.

Qeveria turke i hedh poshtë kritikat se po përdor gjyqësorin ndaj kundërshtarëve politikë, duke theksuar se sistemi gjyqësor është i pavarur. /Telegrafi/