Policia e Trafikut në Prizren mban ligjërata për sigurinë rrugore në shkolla fillore
Policia e Trafikut në Prizren, në kuadër të Planit Operativ “Road Pool – Ditët e Sigurisë 2025” dhe P.O “Siguria në Shkolla”, ka nisur një cikël ligjëratash vetëdijesuese për nxënësit e shkollave fillore të rajonit.
Ligjëratat mbahen në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë policorë dhe kanë si temë kryesore “Si të ecim të sigurt në rrugë”, me qëllim që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit dhe të rritet ndërgjegjësimi i tyre për sigurinë rrugore, përcjell Telegrafi.
Gjatë javës së kaluar, këto ligjërata janë zhvilluar në disa institucione arsimore, përfshirë Association “LOYOLA Gymnasium”, International Maarif Schools of Kosova dhe Mehmet Akif College, ndërsa aktivitetet pritet të vazhdojnë edhe në shkolla të tjera të Prizrenit.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e sigurisë publike dhe edukimin e brezave të rinj për një kulturë më të lartë rrugore. /Telegrafi/


