Policia e Kosovës hedhë poshtë pretendimet e Eparkisë Rashkë-Prizren: Nuk ka politikë presioni ndaj serbëve
Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave institucioni policor po zhvillon një politikë të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka thënë se këto pretendime janë “të pabazuara”, nuk mbështeten në fakte dhe nuk pasqyrojnë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.
Sipas Policisë, ajo është institucion kushtetues dhe profesional, i përbërë nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përfshirë komunitetin serb.
“Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, thuhet në reagim.
Policia ka theksuar se për më shumë se një dekadë ka garantuar sigurinë e qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, në bashkëpunim me përfaqësuesit e KOS-it, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante.
Duke iu referuar ceremonisë së 28 qershorit 2026 në Gazimestan, Policia ka deklaruar se ajo është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga ana e saj.
“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare, por vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për nxitje të urrejtjes, provokim ose cenim të rendit publik”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë, vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore.
Në reagim është përmendur edhe mbrojtja e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke bërë të ditur se aktualisht 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Policia ka publikuar edhe statistika për rastet në objektet fetare. Sipas të dhënave të saj, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste, prej të cilave 16 në objekte ortodokse, ndërsa në vitin 2025 janë regjistruar 35 raste, prej të cilave 10 në objekte ortodokse. Për periudhën janar-qershor 2026, nga 34 raste të evidentuara në objekte fetare, 5 kanë qenë në objekte ortodokse.
Sipas Policisë, shumica e rasteve lidhen me përfitime pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.
Duke iu referuar një rasti në një fshat të Podujevës, Policia ka thënë se më 21 maj 2025 ka iniciuar rastin “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë.
Në fund, Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend./Telegrafi/


