Policia arreston dy persona për mashtrim me kontrata – mbi 24 mijë euro dëm qytetarëve nga rajoni i Gjilanit
Janë arrestuar dy persona në Gjilan nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve”.
Prokuroria njofton se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dhe Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan, kanë arritur të sigurojnë prova se të dyshuarit G.J dhe A.A, kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm në rajonin e Gjilanit.
“Përmes paraqitje së rreme dhe mashtruese, kanë arritur t’i vënë qytetarët në lajthim dhe t’i nxisin ata të nënshkruajnë kontrata si dhe të bëjnë pagesa për avans pa marrë më pas produktet e premtuara”, thuhet në komunikatë.
Gjatë hetimeve, Prokuroria njofton se ka identifikuar 13 persona të dëmtuar në komunën e Gjilanit dhe Vitisë.
Ndër të tjera, thuhet se këta qytetarë janë futur në obligime kontraktuale në vlerë totale prej 24 mijë e 607 euro, ndërsa 9 prej tyre kanë paguar edhe avans në shumën prej 3 mijë e 494 euro.
Ata janë mashtruar me premtimin se pas nënshkrimit të kontratave do të pranonin produktin dhe dhuratat, por kjo nuk ka ndodhur.
Ndryshe, të dyshuarit me datën 20.05.2025 janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve në prezencën e avokatit sipas detyrës zyrtare dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. /Telegrafi/


