Please enter at least 3 characters.

Po fundosemi në ujëra të qeta...

2016/01/po-fundosemi-n-euml-uj-euml-ra-t-euml-qeta_hd.jpg

“Populli është themeli i shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina”, thoshte Naim Frashëri. Por, në Kosovë po lëkundet themeli i shtetit, sepse popullin e ka kapluar heshtja dhe po fundoset në ujërat e qeta.

Na mungon nocioni “popull i zëshëm”, na mungon nocioni “shoqëri civile”, na mungon vetëbesimi, na mungon vullneti për tu shprehur... Sot, në vendin tonë, nuk ka shoqëri civile, por ka vetëm individë civilë që kanë kurajë për të thënë të vërtetën, që kanë pavarësi dhe ide për të vepruar. E, shoqëria që ekziston sot është shoqëri e politizuar. Ne nuk heshtim nga dëshira, por nga kapja e politikës, sepse çdo parti politike në Kosovë ka “shoqërinë civile” të saj.

Që nga përfundimi i luftës, Kosova është me një situatë shumë të rëndë, ku mungon baza e funksionimit të shtetit të mirëfilltë. Sot shoqëria kosovare po hesht para gjitha këtyre padrejtësive.

Çka po ndodh me këtë vend? Pse gjithë ky mjerim? Pse gjithë kjo varfëri? Pse gjithë kjo padrejtësi? pse edhe sot si 15 vite me parë, me mijëra qytetarë po e braktisin vendin, si në kohë luftës?

Është e pakuptueshme se si rinia e këtij vendi më lehtë e merr rrugën e ikjes nga vendi ynë, për t'u strehua nëpër kampet e Evropës - ngjashëm me ndonjë popull të pashpresë të viteve të Luftës së Dytë Botërore - ndërkohë që as edhe njëherë të vetme nuk e organizuan një proteste që do ndalonte njëherë e mirë keqqeverisjen qe iu bë vendit tonë që nga pas lufta!

Pse ende nuk kuptojmë se Evropa nuk u ndërtua nga emigracioni po nga fuqia e rinisë që nuk lejojë kurrë një tufë njerëzish me prirje të këqija të bëheshin bartës të fateve të shumicës me vullnet të mirë? Pse gjunjëzohemi para shteteve të botës duke kërkuar një jetë më të mirë? Sepse, nuk mund të presin më një zhvillim të ngadaltë, sepse kemi nevojë për ndihmë sot, sepse vendi i ynë po na tradhton e nuk po na ofron një jetë të mirë!

Varfëria sot po kërcënon ekzistencën e një numri të madh të njerëzve. Po e rritë nënshtrimin ndaj dhunës, keqtrajtimit dhe rritjen e veprave delikuente e poshtëruese, dhe po e ulë dinjitetin e çdo personi. Ku është zëri i qytetarëve sot? Pse po hesht ai zë? Pse nuk është zë i fuqishëm si në vendet e zhvilluara që përmbysin çdo sistem për të siguruar të drejtën e çdo qytetari duke mos u ndal deri në realizimin e tyre?!

Në një rast në Hungari, populli doli në rrugë duke protestuar kundër taksave të rritura për përdorimin e internetit. Për këtë ngritje dhe pakënaqësi të qytetarëve, hungarezët rrëzuan nga pushteti Qeverinë e asaj kohe. Në Bullgari populli protestoi me dalje masive në rrugë kundër shtrenjtimit dhe manipulimit te faturave të energjisë elektrike. Dhe, si rezultat kësaj proteste, Qeveria e atëhershme ra nga pushteti. Pse ne atëherë po fundosemi me vetëdije në mjerim të skajshëm duke heshtur ndaj politikës së gabuar që po na shtrenjton sendet me elementaret të jetës?!

Ne i jemi gjunjëzuar edhe një politike e cila për gjashtë muaj la vendin tonë pa institucione. Dhe, heshtim! Ne po heshtim edhe pse gjithandej kemi shkolla dhe universitete të politizuara, sistem shëndetësor të shkatërruar, shtet që është bërë vend i ferrit dhe i vjedhjes.

Heshtim edhe kur shohim shumë të rinj me fakultete dhe me master që punojnë nëpër kafeteri apo ndërtimtari, ndërsa i pakualifikuari zë vendet kyçe në administratën e shtetit. Sot, e ardhmja e vendit – rinia - po migron.

Në pamundësi për pjesëmarrje në vendimmarrje, në mungesë të qeverisjes së mirë, të cenimit te sigurisë personale, përjashtimit nga jeta politike, mundësia për ndryshimin e gjendjes ku jemi na është ngushtuar, sepse na mohohen mjetet për mundësi të tilla. Mohimi i te drejtave te tona për t’u dëshmuar si njerëz të lirë dhe qytetarë aktivë, bën qe ne dita-ditës përnjëmend të fundosemi në ujera të qeta.