Plisbardhët e fundit dhe ne
Kronika televizive fliste për një mjegull të dendur që ka kapluar këtyre ditëve disa lugina. Ishte diçka jo e zakonshme, prandaj edhe ishte bërë lajm televiziv. Përveç pamjeve, gazetari po merrte edhe mendimin e disa banorëve. I pari respondent ishte një mesoburrë, i veshur e i mbathur si është më së miri. Edhepse me pamje prej njeriu që ka kryer shkollë dhe ka një sfond edukativ të lakmueshëm, ai dha një përgjigje të vajtueshme. Pasaktësi prej fëmije dolën nga goja e tij, në atë gjysmë minute prononcim para kamerave. I dyti ishte si i pari dhe përgjigjen e dha, po ashtu, të mjerueshme. Me fjali të papërfunduara, pa asnjë informatë në to, pa kurrgjë që ia vlente të dëgjohej.
Pas tyre, para kamerës u paraqit një plak. Plisi i bardhë e tregonte moshën dhe klasën e tij, një klasë tashmë në zhdukje. Por përgjigjja e tij ishte mbresëlënëse. Me saktësi sintaksore dhe me elokuencë të spikatur, plaku tregoi eksperiencën e tij me mjegullat, shenjat dhe pasojat e fenomenit në fjalë. Me përvojën, nga e cila rrjedh shkenca, dhe me sigurinë që ia falte jeta e tij, për disa sekonda plisbardhi më bindi prapë për një gjë. Plisbardhët kanë jetuar me shekuj në një botë të mbyllur e magjike, në të cilën kanë pasur orientim të plotë. Para se ta pyesim veten nëse ne jemi po kaq të orientuar, në këtë botën tonë, të re, të hapur dhe dinamike, të presim pak!
A keni menduar ndonjëherë se secili nga pleqtë plisbardhë, që i shohim çdo ditë e më rrallë në jetën tonë, mund të jetë plisbardhi i fundit i shqiptarisë? A jeni kujtuar se si do të jetë jeta pa këta pleq, që në shumë shekuj kanë pasur të vulosur simbolin e shqiptarisë në kokë? A i ka ra në mend dikujt se si do të jetë lindja e fëmijës pa plisbardhë në shtëpi, si do të bëhët dasma dhe si do të bëhët vdekja pa ato maja bore mbi kokat e shqiptarit? A e dini se çfarë zbrazëtire në identitetin tonë do të shkaktojë vdekja e shqiptarit të fundit, që pjesë të pandashme të jetës së tij, ka pasur plisin?
Dhe përgjigjja juaj mund të jetë pakashumë si: ky është një cikël normal; s’ka si të jetë ndryshe; kanë humbur të gjitha simbolet e këtij lloji - ato mbahen vetëm në evenimente folklorike; jeta ka ndryshuar dhe shqiptari, po ashtu; plisbardhët s’do të lënë asnjë zbrazëtirë sepse tash kemi pleq akademikë, e të tjera përgjigje si këto. Ndoshta do të ketë përgjigje edhe si: t’u paska ndalë ora, djalo; s’ka çka nevojitet një simbol tashmë i jashtëkohshëm; plisi është shenjë e jetës fshatarake dhe kësisoj. Megjithatë, kjo punë ia vlen të elaborohet më tej dhe jo vetëm për një arsye, por për shumë të tilla.
Duke jetuar me mijëvjeçarë rreth e rrotull këtyre maleve të frikshme, ky pellazgu/iliri/arbëri/shqiptari plisbardhë ka krijuar një mekanizëm për ta ruajtur veten nga humbja e identitetit. Duke parë se shumë nga popujt mocanikë ose u asimiluan e u zhdukën ose u deformuan në një mënyrë që s’njiheshin, ky plisbardhë vendosi të ruajë atë që e dallon nga tjetri. U shtri, pastaj u rrudh, u struk, pastaj lëshoi pak këmbët, prapë u rrudh dhe prapë u struk në luginat ku nuk kishte diell gjithë vitin, por plisin dhe atë çfarë e mbante atë të njëjtë me mijëvjeçarë me radhë, nuk e dha. Shpesh me një çmim tepër të lartë dhe shpesh i përçmuar, ai vazhdoi të bënte jetën në mënyrën e vet.
Për të dëshmuar se palca e tij mund të nxjerrë njerëz që i japin dritë krejt botës, herëpasëhere, jipte fatosa, të cilëve kurrë emri nuk u është harruar. Por, si rregull, nuk ua donte lavdinë. Pranimi i famës së tyre, do të thoshte pranimi i vlerave të popujve, nën flamurin e të cilëve djaloshi ishte dalluar. Kjo ishte e papranueshme, prandaj emri, trupi dhe gjenerata që linte pas ky vigan, mbetej larg nga malet ku populli i tij vazhdonte të rronte. Duke e përçmuar një lavdi që vjen nga forca e një pushteti vertikal, plisbardhët vazhdonin të jetonin në luginat dhe malet, shpeshherë të sunduara nga fatosët e gjirit të tyre, pa përfituar dhe pa dashur të përfitojnë asgjë në këmbim të këtij raporti.
Shekull pas shekulli, këta plisbardhë krijonin vlera dhe kultivonin virtyte, të cilat popujt rreth tyre i kishin harruar tashmë ose s’i kishin pasur kurrë. Vazhdonin të organizoheshin horizontalisht, në një mënyrë të përkryer e shumë të ndërlikuar dhe vazhdonin të mos duronin askënd mbi vete. Vazhdonin të trashëgonin krejt shkollën që u duhej dhe vazhdonin të përbuznin edukimin që do ta hedhte poshtë traditën e tyre të pashkruar. Me xhelozi dhe me saktësi supra-shkencore, që ende nuk është arritur nga akademitë më të njohura botërore, ata ruajtën dhe transferuan dijet për jetën, vlerat, moralin dhe zakonet njerëzore. Popujt rreth e përqark vazhdonin t’u grabisnin copa të trungut, por ata ishin të koncentruar në hapësira të pakufishme të shpirtit të tyre të pavarur dhe të pashtruar.
Kohë e re erdhi dhe frymë të re solli. Zjarr i madh ngrohu zemrat e të gjithëve dhe vlera të reja po krijoheshin. Popujt e tjerë u afruan te kjo vatër dhe dhanë e morën me të. Nga streha e tyre krenare, plisbardhët nuhatën ndryshimin e madh dhe u afruan pakëz. Morën ca gaca, por u stepën dhe u tërhoqën. Ua bënë shumë të qartë të tjerëve: krejt është në rregull, nëse nuk ndërhyni në shtëpitë tona dhe në jetën tonë. Çfarëdo që i tejkalon këta kufij, do të jetë e papranueshme dhe si e tillë, e kundërshtueshme me krejt mjetet që i kishin. Ne nuk pranojmë kurrsesi, thanë ata, që dikush të na mësojë si të jetojmë në shtëpinë tonë, në oborrin tonë. Pak pas kësaj, hordhi të vjetra të egra, që krejt rishtas ishin bërë “të rinj” vërshuan oborret dhe shtëpitë tona. Dhe atëherë gjithçka u përmbys.
Por, të kthehemi aty ku e lamë! Nuk është tragjedi që po humbin plisbardhët te shqiptarët. Është e kundërta. Kështu duhet të jetë dhe i tillë është cikli i evolucionit të popujve. Megjithatë, e tmerrshme është se plisbardhët po zhduken, derisa ne ende nuk jemi gati t’i zëvendësojmë ata. Jeta e mbyllur dhe blegtorale te popujt tjerë është zëvendësuar me krijimin e një shoqërie industriale. A kemi krijuar dhe a po planifikojmë ne një të tillë? Kodet arkaike dhe kanunet mesjetare janë zëvendësuar me ligje moderne, të cilat besohen, respektohen dhe ruhen nga strukturat e popujve tjerë. Si i kemi punët ne me ligjet dhe, posaçërisht, kushtetutën? Transferimin tradicional të diturive dhe përvojave nga brezi në brez, popujt tjerë ua kanë lënë universiteteve dhe sistemeve të përkryera shkollore. Çfarë universitetesh të vyshkura dhe çfarë sistemi shkollor kemi krijuar deri më tani mund të ilustrohet me miliona shembuj, por njëri është shumë domethënës. Ende albanologët më të spikatur, janë të huajt dhe albanologët tanë që janë shkolluar në universitete të huaja (dhe nuk flasim këtu për superteknologji, por për albanologji). Pleqtë urtakë që mençurinë e kanë pasur si letërnjoftim, që i ka identifikuar me shekuj, janë zëvendësuar me një klasë akademikësh, që janë objekt humori për krejt popujt përreth dhe shenjë dalluese e mjerimit tonë intelektual. Ku jemi pra?!
Këngët e Kreshnikëve s’do të ketë kush të na i këndojë as tregojë. Lahuta, fyelli, kavalli e sharkia do të heshtin dhe do të vendosen në muze. Shqiptarë me plisa të bardhë nuk do të ketë dhe pyjet, luginat e malet e larta do të braktisen. Fushat do të mbushen dhe lumenjtë do të turbullohen. Dhe, po, është koha që edhe ne të futemi në një botë kundër së cilës kemi luftuar dhe larg së cilës kemi qëndruar me mijëvjeçarë. Kjo botë, ku po hyjmë me drojë, është më e këndshme dhe më e ngrohtë, më e shtruar, më e rrafshët dhe më e hapur. Por, duke pasur ende intelektualë shqiptarë që thërrasin “pleq” për të zgjidhur çështje pronësore; duke llogaritur se ende tek shumica e familjeve shqiptare çështjet e hakut dhe gjakut nuk përfundojnë me ligj, por me kanun, ne të gjithë duhet ta pyesim veten: a jemi të gatshëm për t’u “lëshuar” në këtë botë?
Plisbardhët e pashkollë e kanë ruajtur identitetin (cilido qoftë ai dhe çfarëdo kuptimi që dikush mund t’i japë) gjallë më shumë se dy mijë vjet. Me (gjysmë)identitetin modern, që po formësojmë tani, sa kohë ua merr mendja se mund të qëndrojmë para se të fundosemi në detin e trazuar të globalizmit? Ai det që furishëm po sulmon në të gjitha anët dhe uji i të cilit po merr përpara krejt magjinë e një shenje nga antikiteti. Ai det po i shemb digat tona, që tashmë janë dobësuar shumë, tepër shumë. Mbi ujin e turbullt, po notojnë plisat e bardhë të bekuar, simbolet e fundit të një jete fisnike. Të lagur qull, të pasigurtë, pa orientim, pa dashuri për njëri-tjetrin dhe sikur do të thoshte Jericho ‘si dele në pazar”, po hyjmë në botën e ashpër moderne. Për hajër na qoftë!


