Please enter at least 3 characters.

Plazhi shqiptar që po i çmend turistët, Ksamili shpallet destinacioni bregdetar më i mirë në Evropë

Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e mediave dhe ekspertëve ndërkombëtarë të udhëtimeve, duke u renditur mes destinacioneve bregdetare më të rekomanduara në Evropë.

Kështu shkruan Trevor Kucheran në një artikull të publikuar nga media amerikane e udhëtimeve “Travel Off Path”.

Në renditjen e saj, “Travel Off Path” e vendos Ksamilin në vendin e parë mes pesë destinacioneve bregdetare më të mira në Evropë.

Riviera Shqiptare vlerësohet për ujërat e saj të kristalta, peizazhet mbresëlënëse dhe çmimet më të përballueshme krahasuar me destinacionet e tjera të njohura mesdhetare.

Ksamil, Shqipëri

Sipas autorit, ata që kërkojnë ujërat e kthjellëta të Maldiveve, por nuk duan të shpenzojnë mijëra dollarë për një natë, duhet ta kenë Shqipërinë në listën e tyre.

Ujërat e Ksamilit përshkruhen si një nuancë e jashtëzakonshme e kaltër, të rrethuara nga plazhe me gurë të bardhë.

Autori e cilëson zonën si një nga destinacionet bregdetare më mbresëlënëse në Evropë.

Ndërsa shumë prej destinacioneve të njohura të Mesdheut janë përballur me mbipopullim të madh turistik, Riviera Shqiptare shihet si një alternativë më e qetë dhe më e përballueshme për udhëtarët evropianë.

Sipas artikullit, vizitorët mund të shijojnë ushqime të freskëta deti pranë plazhit për më pak se 15 dollarë, ndërsa akomodimi buzë detit mund të kushtojë dukshëm më pak se në destinacione të ngjashme në Greqi.

Megjithatë, autori thekson se muajt e pikut të verës sjellin turma të mëdha turistësh dhe çmime më të larta.

Për ata që udhëtojnë me traget nga Korfuzi drejt Sarandës, këshillohet të llogariten edhe vonesat e mundshme në kontrollet kufitare, si dhe diferenca prej një ore mes zonave kohore të Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas “Travel Off Path”, shtatori dhe tetori janë ndër periudhat më të mira për të vizituar Ksamilin, pasi temperaturat mbeten të favorshme, ndërsa numri i turistëve është më i ulët krahasuar me muajt e pikut të verës.

Pesë destinacionet bregdetare më të mira në Evropë sipas “Travel Off Path” janë:

Ksamil, Shqipëri

Ischia, Itali – Plazhi i Marontit

Plazhi i Adragas, Portugali

Gjiri i Ramlas, Gozo – Maltë

Plazhi i Sarakinikos, Milos – Greqi.