Përzgjedhësi i Egjiptit lëshon akuza të rënda pas eliminimit ndaj Argjentinës
Përzgjedhësi i Egjiptit, Hossam Hassan, ka bërë deklarata të forta pas eliminimit dramatik nga Argjentina, duke thënë se nuk do të shikojë më asnjë ndeshje të Kampionatit Botëror 2026.
Pas humbjes 3-2, ku Egjipti shpërdoroi epërsinë prej dy golash dhe u eliminua në fazën e 1/16 së finales, Hassan tha se do ta bojkotojë pjesën e mbetur të turneut në shenjë proteste ndaj asaj që e cilësoi si një padrejtësi ndaj skuadrës së tij.
“Kjo është mënyra ime për të ngritur zërin dhe për të mbrojtur atë që besoj. Nuk do të shikoj asnjë ndeshje tjetër të këtij turneu”, deklaroi trajneri egjiptian.
Hassan vuri në pikëpyetje edhe drejtësinë e gjyqtarit, duke lënë të kuptohet se skuadra e tij ishte trajtuar padrejtësisht.
“Pse nuk ka drejtësi në sport? Në futboll? Nuk dua ta zbukuroj këtë me fjalë të bukura. Sot jemi trajtuar padrejtësisht. Kemi pësuar një padrejtësi”.
Përzgjedhësi egjiptian shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se rezultati i ndeshjes ishte ndikuar nga faktorë “të brendshëm” dhe “të jashtëm”.
Ai zbuloi gjithashtu se Federata Egjiptiane e Futbollit kishte shprehur kundërshtime për emërimin e gjyqtarit francez Francois Letexier për këtë takim, edhe para se ndeshja të zhvillohej.
Egjipti ishte në epërsi 2-0 ndaj kampionëve në fuqi të botës, por Argjentina realizoi një rikthim spektakolar, duke fituar 3-2 dhe duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Botërorit./Telegrafi/


