Përplasje, konflikt mes kinezëve dhe Shërbimit Sekret - çka ndodhi gjatë vizitës së Trumpit në Pekin?
Vizita e presidentit amerikan, Donald Trump në Kinë këtë javë u shoqërua me disa përplasje ku u përfshinë zyrtarë kinezë, personel sigurie dhe anëtarë të korpusit amerikan të shtypit, thuhet në një raport të publikuar sot.
Gazeta amerikane, The New York Post ka raportuar se tensionet u përshkallëzuan gjatë disa ngjarjeve të lidhura me takimin e Trump me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
Një incident ndodhi gjatë takimit dypalësh Trump–Xi, kur një grup i madh gazetarësh kinezë vrapuan në vendin e takimit dhe rrëzuan një anëtare të stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Asistentja, gjatë shtyrjes, u shkel dhe pësoi mavijosje të lehta, duke mbetur e tronditur, thuhet në raport.
Një tjetër mosmarrëveshje shpërtheu më vonë në Tempullin e Qiellit në Pekin, ku zyrtarët kinezë thuhet se nuk lejuan një agjent të Shërbimit Sekret amerikan që shoqëronte grupin presidencial të gazetarëve, për shkak se mbante armë zjarri.
Sipas raportit, mosmarrëveshja shkaktoi një vonesë prej rreth 30 minutash, pasi zyrtarët amerikanë refuzuan kërkesat që agjenti të dorëzonte armën, gjë që është protokoll standard i Shërbimit Sekret.
Raporti gjithashtu pretendon se gazetarët amerikanë gjatë vizitës ishin nën kontroll të rreptë të lëvizjes, përfshirë kufizime në bashkimin me kolonën presidenciale të automjeteve dhe qasje të kufizuar në ngjarjet zyrtare.
Thuhet se incidentet shkaktuan zemërim brenda delegacionit amerikan, ndërsa Trump vazhdonte takimet me zyrtarët kinezë në Pekin. /Telegrafi/


