Please enter at least 3 characters.

Përplasja mes dy biznesmenëve në Vlorë, Rama: Konfliktet brutale në zonat turistike s’do tolerohen

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas konfliktit mes dy biznesmenëve në zonën e Palasës në Vlorë, duke njoftuar se hapësira për të cilën ndodhi përplasja do të shpronësohet për interes publik dhe do të kthehet në një zonë të re turistike.

Rama e cilësoi përplasjen mes dy ndërtuesve si një “konflikt banal dhe brutal”, ndërsa tha se analiza e situatës pronësore të zonës ka çuar qeverinë në vendimin për t’i dhënë fund konfliktit përmes shpronësimit.

Sipas kryeministrit, ndërhyrja nuk synon vetëm zgjidhjen e një konflikti konkret pronësie, por edhe vendosjen e një standardi për mënyrën se si duhet të sillen bizneset dhe investitorët në zonat turistike.

“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se jo vetëm duhet t’i japim fund kësaj historie, por edhe t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se zhvillimi i turizmit nuk lidhet vetëm me ndërtimin e hoteleve, resorteve apo infrastrukturës, por edhe me sjelljen e të gjithë aktorëve që operojnë në këtë sektor.

Ai kërkoi që nga investitorët deri te punonjësit e shërbimeve të sillen si “ambasadorë të turizmit shqiptar”, duke shmangur konfliktet, arrogancën dhe përplasjet që mund të dëmtojnë imazhin e vendit.

“Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cenojnë, me qasjet dhe sjelljet e tyre lënduese, atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, që shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet, nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar, edhe me njëri-tjetrin, e pastaj me shoqërinë shqiptare dhe vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë.

Prandaj, banalitetet dhe brutaliteti i çdo lloj natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë, me arrogancë dhe me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike, apo akte arrogance, duhet të bëhen shembull të një vije të kuqe të domosdoshme për Shqipërinë turistike”, tha Rama.

Rama tha se hapësira nuk do t’i lihet më zhvillimit privat, por do të kthehet në një aset publik dhe turistik, me fokus të veçantë te ulliri dhe prodhimi vendas. Sipas tij, projekti parashikon krijimin e një oazi natyror për pemën e ullirit, ku do të mbillen dhe ruhen varietetet autoktone shqiptare.

“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti brutal dhe banal dhe ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë. Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietetet autoktone shqiptare dhe do të ekspozohen të gjithë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri. Një adresë e re informimi dhe një hapësirë e re e dijes, e turizmit, e eksperiencës, një tokë që ndau me dhunë dy aktorë fqinjë do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë”, tha Rama.

Ngjarja e djeshme në Radhimë të Vlorës lidhur me një përplasje të fortë mes dy biznesmenëve, ndërsa Policia e Vlorës po heton në dy pista kryesore: gjobëvënien dhe konfliktin për pronësinë e një toke në Palasë.

Sipas dëshmisë së biznesmenit Vasil Bedinaj para grupit hetimor, atij i është kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh, si dhe largimi nga Shqipëria brenda 48 orëve. Personat e arrestuar, nga ana tjetër, i kanë mohuar akuzat për gjobëvënie. Një tjetër version është dhënë nga biznesmeni Luan Muça dhe dy truprojat e tij. Ata kanë deklaruar se përplasja lidhet me një konflikt pronësie për një sipërfaqe toke në Palasë, ku të dyja palët pretendojnë se disponojnë dokumente që vërtetojnë pronësinë.

Persona të armatosur u shfaqën ditën e djeshme në hotelin e biznesmenit Vasil Bedinaj në zonën e Radhimës, ndërsa pas denoncimit të tij dhe ndjekjes nga policia, makina ku udhëtonte edhe biznesmeni Luan Muça, në tentativë largimi, është aksidentuar dhe përmbysur në rrugë..

Në total, policia ka arrestuar 5 persona, mes tyre edhe biznesmenin Luan Muça, ndërsa 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Mes tyre është edhe vëllai i tij, ish-deputeti Bujar Muça./RTSH