Përmbyset cisterna me ujë në Kuç - vdes ushtari malazez gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi ka bërë të ditur se një ushtar i forcave të armatosura ka humbur jetën gjatë përpjekjeve për të shuar zjarret.
Dejan Bozhoviq (41 vjeç) nga Danilovgradi ka humbur jetën ndërsa ushtari tjetër, Marko Ikoviq, ka pësuar lëndime të rënda trupore gjatë punës për shuarjen e zjarreve në rrethinën e Kuçit.
Aksidenti ndodhi kur cisterna me ujë, që ata po drejtonin, u përmbys dhe rrëshqiti poshtë një pjese të pjerrët pranë rrugës drejt fshatit Kupusci në Kuç, shkruan vijesti.me.
Gjithashtu bëhet e ditur se Bozhoviq ishte pjesë e batalionit të 1-rë këmbësorisë, i martuar dhe baba i katër fëmijëve; ai shërbente në ushtri që nga viti 2006.
Ikoviq, gjithashtu pjesë e së njëjtës njësi, u dërgua në trajtim mjekësor; aktualisht është në gjendje të qëndrueshme dhe me vetëdije.
Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Malit të Zi, së bashku me autoritetet kompetente, kanë filluar një hetim për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes tragjike. /Telegrafi/


