Përmbyllet Prizren Rock & Blues Music Festival, tri net me muzikë dhe atmosferë elektrizuese
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka bërë të ditur se përmes një atmosferë elektrizuese dhe energji të jashtëzakonshme u përmbyll edicioni i sivjetmë i Prizren Rock & Blues Music Festival, duke mbledhur për tri net radhazi artistë të njohur dhe adhurues të muzikës rock e blues në zemër të qytetit të Prizrenit.
Në natën përmbyllëse, skena kryesore u dominua nga performancat e Dire Straits Legacy, Telex dhe Beska & All Star Band, të cilët sollën një spektakël të veçantë për publikun.
Ndërkohë, në skenën "Sunset Stage", atmosferën e gjallëruan Urban Band & Flavia Zare dhe Dhjetori, duke e mbyllur festivalin me ritme dhe emocione të forta.
Gjatë tri netëve të festivalit, qytetarë dhe vizitorë patën mundësinë të shijojnë performanca cilësore, atmosferë festive dhe momente të paharrueshme, duke e kthyer Prizrenin në qendër të muzikës rock dhe blues.
Organizatorët falënderuan të gjithë artistët, bashkëpunëtorët dhe publikun për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke theksuar se suksesi i këtij edicioni është dëshmi e rëndësisë që festivali ka marrë në kalendarin kulturor të vendit.
"Edicioni i sivjetmë u mbyll me premtimin për t'u rikthyer vitin e ardhshëm me një program edhe më të pasur dhe surpriza të reja për adhuruesit e muzikës", thuhet tutje në njoftimin e Totaj të postuar në rrjetin social Facebook. /Telegrafi/


