Please enter at least 3 characters.

Përkujtohet masakra në Lybeniq të Pejës - drejtuesit intitucionalë kërkojnë drejtësi për viktimat

Sot u mbajtën përkujtimet për masakrën e 1 prillit 1999 në fshatin Lybeniq të Pejës, ku forcat serbe ekzekutuan 59 burra dhe kryen mizori ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se Lybeniqi mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive dhe theksoi se drejtësia për viktimat është një detyrim moral, njerëzor dhe shtetëror.

“Në Lybeniq, forcat serbe masakruan edhe fëmijët në djep, gratë shtatzëna dhe të moshuarit e palëvizshëm. Qëllimi i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë, por nuk ia arritën. Sot, familjarët e të vrarëve kanë amanetin për të ruajtur shtetin e ndërtuar mbi sakrificë. Lybeniqi është dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe e çmimit të lirisë. Lavdi e përjetshme për martirët dhe dëshmorët e Lybeniqit!”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se drejtësia për këtë krim është zvarritur dhe mjegulluar në Serbi. “Serbia, duke refuzuar të ballafaqohet me të kaluarën e saj, mbetet peng i saj, tokë e varrezave masive dhe strehë e kriminelëve të luftës”, tha Kurti.

Në një postim përkujtimor, ai përshkroi ngjarjet tragjike të asaj dite: “Më 1 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë rrethuan fshatin Lybeniq. Banorët u dëbuan nga shtëpitë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit u ndanë, ndërsa 59 burrat u vranë me rafalë armësh automatike. Përballë mohimit të Serbisë, qëndron e vërteta jonë: sot kemi një Kosovë të lirë dhe demokratike që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.”

Kurti nënvizoi gjithashtu përpjekjet e shtetit për të mbështetur familjet e dëshmorëve dhe martirëve, përfshirë rritjen e kapaciteteve të ushtrisë dhe Policisë, si dhe avancimin e drejtësisë për krime lufte.

Sot, Lybeniqi kujtohet jo vetëm si plagë e së kaluarës, por edhe si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe e sakrificës që solli lirinë dhe shtetin e Kosovës