Please enter at least 3 characters.

Përkeqësohet kriza e lëndimeve tek Chelsea, Maresca humbet dy qendërmbrojtësa

Situata në repartin defensiv të Chelseat është përkeqësuar më tej, pasi trajneri Enzo Maresca ka konfirmuar se Tosin Adarabioyo do të mungojë në tre ndeshjet e ardhshme për shkak të një dëmtimi në pulpë, ndërsa Wesley Fofana është jashtë fushave pas një përplasje në kokë.

Me Levi Colwill tashmë të dëmtuar për një periudhë afatgjatë dhe Benoit Badiashile që ende nuk ka debutuar këtë sezon, Maresca përballet me një krizë të thellë në qendër të mbrojtjes.

Në konferencën për shtyp të së premtes, tekniku italian konfirmoi: “Tosin ka një dëmtim të lehtë në pulpë dhe do të jetë jashtë deri pas pushimit ndërkombëtar. Fofana pësoi një lëndim në ndeshjen ndaj Lincolnit. Të tjerët janë në rregull”.

Mungesat në mbrojtje vijnë në një moment kritik për "Blutë", të cilët përballen me një kalendar të ngjeshur dhe tashmë janë pa disa nga mbrojtësit kryesorë.

Për më tepër, edhe lojtarët si Liam Delap, Dario Essugo dhe Romeo Lavia vijojnë të jenë jashtë skuadrës për shkak dëmtimesh.

Për Marescën, kjo do të thotë ndryshime të detyruara në prapavijë për ndeshjet e ardhshme të Ligës Premier, ku pritet që Fofana të mos jetë i gatshëm.

Si për të mos mjaftuar me kaq, Maresca konfirmoi gjithashtu se edhe ylli i skuadrës, Cole Palmer, do të mungojë për disa ndeshje të tjera, pasi vuan ende nga një dëmtim dhe nuk është plotësisht i rikuperuar.

Me një skuadër të përgjysmuar dhe sfida të vështira në horizont, Chelsea do të ketë një sprovë të vërtetë për të përballuar mungesat dhe për të ruajtur vazhdimësinë në rezultate./Telegrafi/