“Përgatitu se s’ke me dalë kurrë”- Jehona Krasniqi-Morina kujton fjalët e nënës që e mbajtën të fortë
Në episodin e pestë të podcastit “Rrugëtimi”, Jehona Krasniqi-Morina, ish e burgosur në Burgun e Lipjanit, ka rrëfyer një nga momentet më të rënda dhe më përcaktuese të jetës së saj, vizitën e parë të nënës në burg.
Duke folur për atë se çfarë e ka mbajtur të fortë nga hyrja në burg, dalja prej tij dhe deri më sot, Krasniqi-Morina tha se ishte pikërisht qëndrimi i nënës ai që e përgatiti për më të keqen.
“Ajo çka më ka mbajt mua që nga hyrja në burg e dalja dhe sot e kësaj dite është që vizita e parë e nënës time kur ka ardhë me më vizitu”, kujton ajo.
Krasniqi-Morina e kujton atë moment si një ballafaqim të rëndë emocional, ku nëna e saj, edhe pse me dhimbje të madhe, nuk i dha iluzione se dalja nga burgu do të ishte e lehtë.
“Ai qëndrimi i saj, me sytë e pëlhurës por lot që nuk dilnin, ishte që fjala e parë nga personi që e di që kur je në prezencë të asaj mua nuk më ndodh kurrgjë e keqe se e heq rrezikun, por fjalia e saj ishte “përgatitu se s'ke me dalë kurrë.””, e kujton Krasniqi-Morina mesazhin që i dha nëna e saj.
Më pas, Krasniqi-Morina rrëfen fjalinë që sipas saj në atë moment e goditi rëndë.
“Derë e vogël tha e madhe për të hyrë derë e vogël për të dalë edhe me kaq e përfundoi atë që në atë moment m'u duk qe i gjithë burgu ra mbi mua”, shprehet ajo.
Megjithatë, ajo thotë se pikërisht kjo fjali, edhe pse në fillim iu duk tepër traumatike, më vonë u bë burim force për ta përballuar burgun dhe torturat.
“Për ato gjashtë muaj dhe për atë ditë të dënimit, kur e kemi marrë dy vite unë e kam përballu shumë lehtë çdo vendim që ka ardhë çdo torturë, sepse më përgatiti ajo frazë e saj”, u shpreh ajo.
Krasniqi-Morina tha se fjala e nënës e përgatiti për më të keqen, ndërsa kjo pritje e dhimbshme e ndihmoi ta përballonte realitetin e burgut.
Ajo tha se këto momente i kujton gjithmonë, ndërsa sot e sheh atë përballje si një nga arsyet pse arriti të qëndrojë e fortë.
Përveç rrëfimit për përvojën në burg dhe procesin gjyqësor, ajo foli edhe për rrugën e saj në media, arsimim dhe përpjekjen për të mos hequr dorë nga zhvillimi personal.
Krasniqi-Morina tha se pavarësisht sfidave, pauzave dhe gjendjes së vështirë ekonomike, arsimimi mbeti një nga shtyllat kryesore të rrugëtimit të saj.
Sipas Krasniqi-Morinës, arsimimi i hap rrugët e zhvillimit dhe i përgatit njerëzit më mirë për jetën.
“I hapë botëkuptimet e tyre, i hapë në rrugët drejt zhvillimit të jetës, i përgatit më tepër për jetën dhe e shohin botën ma realisht”
Ajo tha se gratë nuk duhet të mbeten peng i vuajtjeve, por t’i kthejnë ato në forcë dhe pikënisje për rimëkëmbje./Telegrafi/
Podcastin e plotë mund ta shikoni më poshtë:


