Pep Guardiola: Te Barcelona dhe Bayern ndihesha sikur do më shkarkonin nëse diçka shkonte keq
Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola ka bërë një krahasim mes përvojave të tij te Barcelona, Bayern Munich dhe klubin aktual, Manchester City, duke folur edhe për statusin si trajneri me më shumë kohë në detyrë në Ligën Premier.
Guardiola ka zbuluar se në të kaluarën kishte frikë shkarkimin, megjithatë të njëjtën energji kurrë s’e ka pasur te City.
“Gjatë vitit të fundit kemi bërë shumë ndryshime, por energjia mes stafit dhe lojtarëve të rinj vazhdon të jetë aty”.
“Te Barcelona dhe Bayern kisha ndjesinë se, nëse do të lindnin probleme, do të më shkarkonin menjëherë. Këtu nuk kam pasur kurrë një ndjesi të tillë. Në këtë moment e ndiej energjinë brenda vetes dhe te lojtarët për ta bërë edhe më mirë se sezonin e kaluar – ky është qëllimi im”.
Ai theksoi se City është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar vazhdimisht.
“Nuk më pëlqen të them në nëntor apo dhjetor se do të fitojmë këtë apo atë trofe. Thjesht e shoh që jemi më të mirë se sezonin e kaluar dhe po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje”.
“Ende kemi shumë hapësirë për rritje – dhe kjo më jep energji, sepse puna nuk ka mbaruar. Është shumë larg për t’u quajtur e përfunduar. Kjo është arsyeja pse jam ende këtu”, deklaroi ai.
Guardiola me Cityn sezonin e kaluar nuk e fitoi trofe, ndërsa synon ta ndryshojë këtë brenda këtij edicioni 2025/26./Telegrafi/


