Please enter at least 3 characters.

Pejë, institucionet bashkohen për luftimin e dhunës në familje

Prokuroria Themelore në Pejë ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, me fokus trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje.

Takimi është udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, së bashku me koordinatoren për rastet e veprave penale të dhunës në familje, zëvendëskryeprokuroren Arlinda Nallbani Gacaferri.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Themelore në Pejë, Policisë së Kosovës, Qendrave për Punë Sociale, Strehimores, Spitalit Rajonal të Pejës, ekspertë psikologë, si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare EULEX dhe OSCE në Kosovë.

Gjatë diskutimeve u trajtua mënyra e menaxhimit të rasteve të dhunës në familje, identifikimi i mangësive ekzistuese dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim rritjen e efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve.

Po ashtu, u shqyrtuan edhe propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese në rastet e dhunës në familje, në përputhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe vënien para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave penale. /Telegrafi/