Peja zhgënjen 3000 tifozë
Palestra Karagaçi sonte ishte e stërmbushur me rreth 3000 shikues të cilët qëndruan vazhdimisht në këmbë për t’i dhënë klubit një përkrahje të jashtëzakonshme, e basketbollit kosovar diçka për t’u krenuar. Për pejanët debutoi edhe ish-lojtari i New York Knicks, Chris Smith, i cili nuk tregoi asgjë sonte, duke i humbur 6 tentime nga afërsia dhe 3 nga distanca, teksa shënoi vetëm një gjuajtje të lirë.
Peja nuk pati një fillim ëndrrash të ndeshjes, pasi që u ballafaquan me një mbrojtje të fortë të rumunëve, ndërsa nuk ishin efikas në mbylljen e hapësirave të kundërshtarit në trapez. Me ç’rast edhe e mbyllën çerekun e parë me dhjetë pikë disavantazh, 10-20.
Vendasit vazhduan me një lojë inepte edhe në çerekun e dytë, teksa mysafirët u treguan të saktë në tentimet nga distanca duke e ngritur kështu epërsinë deri në 20 pikë, (12-32). Mirëpo, pas një pushimi të shkurtër që e kërkoi trajneri i Pejës, Boris Kurtovic, verdhezinjtë u kthyen me një seri 9-1 për ta mbyllur pjesën e parë me 12 pikë disavantazh, 21-33.
Peja e nisi furishëm çerekun e tretë nën udhëheqjen e amerikanit Janou Rubin duke e zvogëluar disavantazhin vetëm në katër pikë(33-37), mirëpo pastaj rumunët e rikthyen fokusin në lojë dhe përsëri e ngritën epërsinë në 11 pikë, 37-48.
Ishte Alban Veseli që e ndezi publikun në fillim të çerekut të katërt me pikët e tij duke e ngushtuar disavantazhin deri në një pikë, 52-53, mirëpo pastaj rumunët shënuan dy trepikësha dhe përsëri u shkëputën në rezultat për ta përfunduar më pas takimin me shtatë pikë epërsi, 60-67.
Edhe pas kësaj humbjeje, Peja mban primatin në Grupin C me shtatë pikë. /Telegrafi/


