Peja, në Nikshiq për fitore
Organizatori i pejanëve, Samir Shaptahoviqi, është shprehur optimist para ndeshjes duke thënë se janë përgatitur maksimalisht për këtë takim. “Kemi pasur kohë të mjaftueshme që të përgatitemi sa më mirë për këtë ndeshje. E dimë se nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi edhe Sutjeska, ka një skuadër shumë të mirë dhe do të jetë tejet e vështirë”, u shpreh fillimisht Shaptahoviqi për Arenën.
Tutje ai shpreson se do të kthehen me fitore nga Mali i Zi. “Kemi një skuadër të mirë dhe e kemi nisur me fitore Ligën Ballkanike, shpresoj se do të kthehemi me fitore nga ky takim”, përfundoi Shaptahoviqi.
Shima e njeh kundërshtarin
Edhe alo-qendra shqiptare, Gerti Shima, është shprehur optimist para ndeshjes me Stujeskën. Ai thotë se kanë njohuri për kundërshtarin, duke shpresuar se do të arrijnë të aplikojnë lojën e tyre.
“Shpresojmë që të arrijmë të aplikojmë lojën tonë në këtë takim. Stutjeska, është një ekip tejet cilësor. Kemi shikuar disa video të kundërshtarit tonë dhe kemi njohuri për ta”, deklaroi Shima për gazetën Arena. Ndër të tjera, alo-qendra e skuadrës pejane, shpreson që nga kjo ndeshje do të kthehen me fitore. “Ne e kemi nisur në mënyrën më të mirë aventurën Ligën Ballkanike dhe shpresojmë se do të arrijmë edhe fitoren e dytë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, por kemi një ekip tejet cilësor dhe besoj se do të arrijmë të kthehemi me pikë nga kjo ndeshje”, përfundoi Shima. Skuadra tjetër kosovare në Ligën Ballkanike, Sigal Prishtina, të mërkurën do të luajë në Malin e Zi, me skuadrën Mornari.


