Please enter at least 3 characters.

Peci dënon djegien e bagerit në Mitrovicë: Paqe me krimin nuk do të ketë, as në jug as në veri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka dënuar ashpër djegien e një mekanizmi ndërtimor (bager), i cili i përkiste kompanisë së angazhuar për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje në qytet.

Sipas Pecit, rasti ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës, ndërsa e ka cilësuar veprimin si akt kriminal dhe kërcënues ndaj rendit dhe sigurisë publike.

“Mbrëmë gjatë orëve të vona të natës, kompanisë që ishte përgjegjëse për rrënimin dhe largimin e objekteve pa leje i është djegur një mekanizëm. E dënoj ashpër këtë akt makabër e qyqar”, ka shkruar Peci.

Ai ka theksuar se veprime të tilla përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj të gjithë atyre që angazhohen për sundimin e ligjit në Mitrovicë.

“Ky veprim kriminal përbën kërcënim direkt për të gjithë ata që angazhohen që Mitrovica të jetë qytet ku mbretëron rendi dhe qetësia publike”, është shprehur kryetari i Mitrovicës.

Peci ka bërë të ditur se institucionet komunale nuk do të zmbrapsen nga lufta kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit, pavarësisht përpjekjeve për frikësim.

“Të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla kriminale na frikësojnë, e kanë gabim. Lufta jonë ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit dhe parregullësisë nuk do të ndalet”, ka theksuar ai.

Po ashtu, kryetari i Mitrovicës u ka bërë thirrje organeve të rendit që të intensifikojnë veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.

“Organeve të rendit ju bëj thirrje të intensifikojnë veprimet e tyre për zbardhjen e këtij rasti”, ka deklaruar Peci.

Në fund, ai ka dhënë mesazh të prerë se në Mitrovicë nuk do të ketë tolerancë ndaj kriminalitetit.

“Paqe me krimin nuk do të ketë asnjëherë, askund në Mitrovicë, as në jug as në veri”, ka përfunduar kryetari Faton Peci. /Telegrafi/