Pashë shumë mizori si zyrtar i lartë për ndihma në Gaza - tani autoritetet izraelite po përpiqen të na heshtin
Nga: Jonathan Whittall, shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në territoret e pushtuara palestineze
Përkthimi: Telegrafi.com
Për 22 muaj Gaza është nën trysni, ndërsa lejohet të marrë frymë vetëm kur autoritetet izraelite i nënshtrohen presionit politik nga ata që kanë më shumë ndikim se vetë e drejta ndërkombëtare. Pas muajve të tërë me bombardime të pandërprera, me zhvendosje të detyruar dhe privime, ndëshkimi kolektiv i popullit të Gazës, nga Izraeli, nuk ka qenë kurrë më shkatërrimtar.
Që nga tetori i vitit 2023, jam pjesë e përpjekjeve për koordinimin e ndihmës humanitare në Gazë. Çdo ndihmë që ka hyrë për të shpëtuar jetë, prej asaj kohe, ka qenë një përjashtim - jo rregull. Më shumë se një vit pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) urdhëroi Izraelin të “marrë të gjitha masat që janë në fuqinë e tij” për të parandaluar aktet e gjenocidit - dhe pavarësisht gjithë paralajmërimeve tona - ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të urisë, mungesës së qasjes në ujë, krizës sanitare dhe një sistemi shëndetësor në kolaps, në një sfond të dhunës së vazhdueshme që po rezulton në dhjetëra palestinezë të vrarë çdo ditë, përfshirë fëmijë.
Të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë, ne, punonjësit humanitarë, kemi filluar të përdorim zërin tonë - bashkë me gazetarët palestinezë që rrezikojnë gjithçka - për të përshkruar kushtet e tmerrshme dhe çnjerëzore në Gazë. Të flasim hapur, siç po bëj tani, përballë vuajtjes së qëllimshme - dhe që mund të shmanget - është pjesë e rolit tonë për të promovuar respektin ndaj së drejtës ndërkombëtare.
Por, kjo ka një çmim. Pas një konference për shtyp që mbajta në Gazë më 22 qershor, ku thash e civilët e uritur u qëlluan teksa përpiqeshin të arrinin tek ushqimi - atë që e quajta “kushte të krijuara për të vrarë” - ministri izraelit i Punëve të Jashtme njoftoi në një postim në X se viza ime nuk do të rinovohej. Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB vazhdoi me një deklaratë në Këshillin e Sigurimit, duke thënë se pritet të largohem deri më 29 korrik.
Kjo përpjekje për të na heshtur është pjesë e një modeli më të gjerë. OJQ-të ndërkombëtare përballen me kërkesa gjithnjë e më kufizuese për regjistrim, duke përfshirë klauzola që ndalojnë kritikat e caktuara ndaj Izraelit. OJQ-të palestineze të cilat përkundër çdo vështirësie vazhdojnë të shpëtojnë jetë çdo ditë, janë ndërprerë nga burimet që u nevojiten për të funksionuar. Agjencitë e OKB-së marrin gjithnjë e më shumë viza me vetëm për gjashtë, tre apo edhe një muaj, në varësi të cilësimit si “të mira, të këqija apo të shëmtuara”. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) është vënë në shënjestër me ligje të posaçme, stafi i saj ndërkombëtar është ndaluar të hyjë dhe operacionet e saj po mbyten gradualisht.
Këto reprezalje nuk mund të fshijnë realitetin që kemi parë - çdo ditë - jo vetëm në Gazë, por edhe në Bregun Perëndimor. Ajo që kam parë atje duket ndryshe nga ajo që ndodh në Gazë, por ka një qëllim të përbashkët: ndërprerjen e vazhdimësisë territoriale dhe shtyrjen e palestinezëve në enklava gjithnjë e më të vogla. Palestinezët në Bregun Perëndimor përditë po shtypen dhe kufizohen: shtypen nga dhuna e kolonëve dhe prishjet e shtëpive në zonat ku po zgjerohet ndërtimi i vendbanimeve, dhe kufizohen nga një rrjet kufizimesh të lëvizjes në zona të urbanizuara të shkëputura, ku ndërhyrjet ushtarake po shtohen.
Gaza po copëzohet gjithashtu. Popullsia 2.1 milionëshe tani është grumbulluar në vetëm 12 për qind të sipërfaqes së Rripit. Më kujtohet telefonata tronditëse që mora më 13 tetor 2023, që njoftonte zhvendosjen e detyruar të të gjithë pjesës veriore të Gazës. Që nga ai akt i parë brutal, thuajse e gjithë Gaza është zhvendosur me forcë - jo një herë, por në mënyrë të përsëritur - pa strehim të mjaftueshëm, pa ushqim dhe pa siguri. Kam parë me sytë e mi diçka që duket si çmontim sistematik i mjeteve për të mbijetuar jeta palestineze. Si pjesë e rolit tonë për të koordinuar operacionet humanitare, kolegët e mi dhe unë kemi ndihmuar në nxjerrjen e pacientëve nga repartet e errëta të kujdesit intensiv, të mbushura me mace, në spitale të shkatërruara e të pushtuara nga forcat izraelite, ku të vdekurit po varroseshin në oborr nga stafi i fundit i mbetur - pa gjumë - të cilët kishin parë kolegët e tyre të largoheshin me forcë.
Kemi ndihmuar në zbulimin e varrezave masive në oborre të tjera të spitaleve, ku familjet kërkonin mes rrobave të shpërndara për të identifikuar të afërmit e tyre që ishin zhveshur para se të vriteshin ose të zhdukeshin. Jemi përlarë me ushtarët që përpiqeshin të nxirrnin me forcë nga ambulanca një pacient me dëmtim në shtyllën kurrizore, në kohën që ai po evakuohej nga një spital. Kemi riatdhesuar trupat e punonjësve humanitarë të vrarë nga sulmet me dronë dhe zjarr tankesh gjatë përpjekjes për të shpërndarë ndihma, dhe kemi mbledhur trupat e anëtarëve të familjeve të punonjësve të OJQ-ve që u vranë në vende të cilësuara - nga vetë forcat izraelite - si “zona humanitare”.
Kemi parë mjekë të vrarë, me uniformë, e të varrosur nën ambulanca të shtypura nga forcat izraelite. Strehimore të mbipopulluara për të zhvendosurit të bombarduara, me prindër që përqafonin fëmijët e tyre të plagosur ose të vdekur. Trupa të panumërt në rrugë, të ngrënë nga qentë. Njerëz që telefonojnë nën rrënoja, ndërkohë që ndihma e ekipeve të shpëtimit refuzohet derisa askush të mos mbetet gjallë. Fëmijë që tretën nga kequshqyerja, ndërkohë që ndihmat përballen me një kurs pengesash të pakalueshme burokratike dhe ushtarake.
Autoritetet izraelite na akuzojnë se jemi ne problemi. Thonë se po dështojmë të marrim mallrat nga pikat e kalimit. Ne nuk po dështojmë - po pengohemi. Javën e kaluar isha në një konvoj drejt pikës së kalimit Kerem Shalom brenda Gazës. I shoqëruam kamionët bosh përmes një zone të mbipopulluar, në një rrugë të panevojshme e të komplikuar që ishte përcaktuar nga forcat izraelite. Kur kamionët u rreshtuan në pikën e pritjes dhe më në fund erdhi drita e gjelbër nga forcat izraelite, për të kaluar, mijëra njerëz të dëshpëruar u bashkuan me ne, me shpresën se kamionët do të ktheheshin me ushqim. Teksa përparonim ngadalë, njerëzit kapeshin për makina - derisa pamë trupin e parë të pajetë, anash në rrugë, i qëlluar në shpinë nga drejtimi i forcave izraelite. Në pikën e kalimit, porta ishte e mbyllur. Pritëm rreth dy orë që një ushtar ta hapte.
Atij konvoji iu deshën 15 orë. Me konvojet e tjera, forcat izraelite kanë vonuar kthimin e kamionëve - ndërkohë që turmat grumbulloheshin - ndërsa kanë vrarë njerëz të dëshpëruar që prisnin ardhjen e tyre. Disa nga mallrat tona janë plaçkitur nga bandat e armatosura që veprojnë nën mbikëqyrjen e forcave izraelite. Gjatë armëpushimit, ne organizonim disa konvoje në ditë. Tani, kaosi, vrasjet dhe pengesat janë përsëri normë. Ndihma është jetike, por nuk do të jetë kurrë një kurë për mungesën e projektuar.
GjND-ja ka qenë e qartë. Me masat e saj të përkohshme detyruese, ajo jo vetëm që urdhëroi Izraelin të parandalojë aktet e ndaluara nga Konventa për Gjenocidin, por gjithashtu urdhëroi Izraelin të mundësojë urgjentisht ofrimin e shërbimeve bazike dhe të ndihmës humanitare, përfshirë rritjen e kalimeve për ndihma. Në një opinion të veçantë këshillues, GjND-ja nuk la asnjë vend për dyshim: pushtimi i vazhdueshëm i Gazës dhe Bregut Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, është i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare. Gaza dhe Bregu Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, janë pjesë të ndryshme të të njëjtës tablo.
Ajo që po ndodh nuk është diçka e ndërlikuar. Nuk është e pashmangshme. Është rezultat i zgjedhjeve të qëllimshme politike nga ata që i krijojnë këto kushte dhe ata që i mundësojnë ato. Përfundimi i pushtimit është vonuar prej kohësh. Besueshmëria e sistemit shumëpalësh po gërryhet nga standardet e dyfishta dhe pandëshkueshmëria. E drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë një mjet komod për disa, përderisa synon të jetë mjet i vlefshëm mbrojtjeje për të gjithë.
Gaza tashmë është duke u mbytur nga bombat, uria dhe bllokadat e pamëshirshme që ndalojnë gjërat thelbësore për mbijetesë. Çdo vonesë në zbatimin e rregullave më themelore që synojnë mbrojtjen e jetës njerëzore, është një dorë tjetër që e shtyp Gazën ndërsa përpiqet të marrë frymë. /Telegrafi/


