Pas humbjes nga Spanja, argjentinasit kërkojnë përsëritjen e finales së Botërorit
Humbja 1-0 e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 ka shkaktuar reagime të forta në vendin amerikano-jugor, ku një pjesë e tifozëve kanë nisur një fushatë për përsëritjen e ndeshjes.
Sipas gazetës spanjolle El Mundo, në platformat digjitale është iniciuar një peticion që i bën thirrje FIFA-s të rishikojë finalen e zhvilluar të dielën në Nju Jork. Deri më tani, peticioni ka mbledhur mbi 61.500 nënshkrime.
Nisma është ndërmarrë nga tifozja argjentinase Gisela Sanchez, e cila e publikoi peticionin në platformën Change.org, duke vënë në dyshim ndarjen e drejtësisë të sllovenit Slavko Vinçiç.
Sipas autores së peticionit, disa vendime të arbitrit ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e finales dhe duhet të rishikohen nga FIFA. Megjithatë, ajo nuk ka paraqitur prova konkrete që mbështesin pretendimet e saj.
Pavarësisht numrit të madh të nënshkrimeve, ekspertët theksojnë se kjo fushatë nuk ka asnjë bazë ligjore që mund ta detyrojë FIFA-n të ndryshojë rezultatin ose të urdhërojë përsëritjen e finales.
Sipas rregulloreve të futbollit, një ndeshje zyrtare mund të përsëritet vetëm në rrethana krejtësisht të jashtëzakonshme dhe vetëm pas një vendimi të organeve kompetente të FIFA-s.
Kjo nuk është hera e parë që gjatë Kupës së Botës 2026 ngrihet një peticion i tillë. Më herët, edhe tifozët francezë mblodhën mbi 82 mijë nënshkrime, duke kërkuar përsëritjen e gjysmëfinales ndaj Spanjës për shkak të një episodi kontrovers që parapriu penalltinë e fituar nga Lamine Yamal.
Spanja u shpall kampione e botës pasi mposhti Argjentinën me rezultatin 1-0 pas vazhdimeve, falë golit të Ferran Torresit.
Megjithëse zhgënjimi ishte i madh, mijëra tifozë argjentinas dolën në rrugë pas finales për të përshëndetur kombëtaren e tyre dhe për ta falënderuar për rrugëtimin deri në finale dhe për luftën e zhvilluar në përpjekje për ta mbrojtur titullin e fituar katër vite më parë./Telegrafi/


