Parandalohen garat ilegale në Prizren, dy shoferë gjobiten me nga 400 euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një garë ilegale të shpejtësisë në Prizren, ku dy automjete janë hasur duke zhvilluar gara në rrugën “Ukshin Hoti”.
Rasti ka ndodhur më 6 shtator 2026, rreth orës 03:47, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut nga Njësitet Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren.
Sipas Policisë, zyrtarët policorë kanë ndaluar menjëherë të dy drejtuesit e automjeteve dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara.
Secilit prej kundërvajtësve i është shqiptuar gjobë prej 400 eurosh, katër pikë negative, si dhe ndalim i drejtimit të automjetit për 10 muaj.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/


