Paga që po kërkon Rodrygo mbetet problem i madh për Arsenalin
Anësori brazilian Rodrygo Goes është një nga lojtarët që Real Madridi synon të shesë këtë verë, ndërsa klubi po planifikon të riformatojë skuadrën për sezonin e ardhshëm.
Rodrygo ka vendosur një kusht të qartë për të shqyrtuar largimin nga Madridi, një kontratë me vlerë 12 milionë euro neto në sezon. Kjo e vendos atë në mesin e lojtarëve më të paguar në futbollin evropian.
Kërkesa e lartë për pagë ka krijuar tension te klubet e interesuara, veçanërisht te Arsenali. Londinezët kishin treguar interes pas një sezoni të vështirë të brazilianit.
Sulmuesi nuk ka pasur sezonin e tij më të mirë pasi që nga muaji shkurt, ai ka shënuar vetëm një gol dhe ka dhënë tre asistime, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij në projektin e ri të Xabi Alonsos.
Megjithatë, trajneri bask i beson Rodrygos dhe e ka përfshirë në skuadrën për Kupën e Botës për Klube, ku ai do të ketë mundësi të tregojë vlerën e tij.
Arsenali, që po përfundon transferimin e Martín Zubimendi, kërkon edhe një përforcim në sulm. Rodrygo pëlqehet nga Mikel Arteta, por çmimi prej rreth 100 milionë euro dhe paga e kërkuar e bëjnë marrëveshjen të vështirë.
Për momentin, kërkesa e lojtarit tejkalon mundësitë financiare të Arsenalit. Rodrygo dëshiron të qëndrojë në Madrid, por nëse klubi vendos ta shesë, vera do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. /Telegrafi/


