Pacolli kërkon hetim: Pavarësisht vendimit të gjykatës, po na ndalohet hyrja në Aeroportin e Vlorës, investimi po bllokohet
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës, duke deklaruar se kompanisë së tij dhe nënkontraktorëve u është ndaluar hyrja në objekt që nga data 18 maj, në një fazë kur, sipas tij, terminali dhe infrastruktura kryesore ishin thuajse të përfunduara.
Në reagimin e tij, Pacolli thotë se projekti ndodhej në fazën përfundimtare të pastrimit dhe rregullimit të ambientit të brendshëm, përpara se të vihej në operim, por se më pas “grupe të paautorizuara”, me ndihmën e Policisë së Shtetit, kanë ndaluar hyrjen në aeroport.
Sipas tij, në këtë projekt janë investuar mbi 310 milionë euro dhe puna është realizuar me përkushtim dhe standarde profesionale, duke përfshirë edhe sisteme teknike dhe strukturë menaxhuese ndërkombëtare me bazë në Dublin.
Pacolli thekson se, pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Lartë që sipas tij i ka dhënë të drejtë në aspektet kryesore të çështjes, kompania nuk është lejuar të rifillojë aktivitetin në terren dhe se situata mbetet e bllokuar.
“Fituam edhe në Gjykatën e Lartë, e cila na dha të drejtë në të gjitha aspektet kryesore të çështjes. Megjithatë, edhe sot na thuhet se pa vullnetin e qeverisë do të mbetemi jashtë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se në aeroport, sipas informacioneve që thotë se ka marrë, persona të paautorizuar kanë hyrë dhe dalë për muaj të tërë, duke shkaktuar dëmtime të inventarit dhe duke tentuar, siç pretendon ai, të disponojnë apo të tjetërsojnë asete pa autorizim.
Pacolli e ka cilësuar situatën si një dëm serioz jo vetëm për kompaninë e tij, por edhe për besimin e investitorëve në Shqipëri, duke e lidhur rastin me sigurinë juridike dhe klimën e investimeve në vend.
Ai ka bërë të ditur se Prokuroria e Tiranës, sipas tij, nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme prej muajsh lidhur me kallëzimet dhe provat e dorëzuara, duke shprehur shqetësim për mungesën e reagimit institucional.
Në reagimin e tij, Pacolli ka apeluar për ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve shtetërore, duke kërkuar hetim të plotë të situatës dhe mbrojtje të investimit, të cilin e cilëson si strategjik për Shqipërinë.
“Apeloj që të hetohen me seriozitet të gjitha veprimet e grupeve që kanë krijuar këtë situatë. Kjo nuk është më një çështje private, por një çështje e respektimit të ligjit dhe e mbrojtjes së një investimi strategjik”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka theksuar se aeroporti është ndërtuar, sipas tij, me qëllim t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimit të vendit, ndërsa ka kërkuar që institucionet të garantojnë siguri juridike dhe mbrojtje ligjore për investimet./Telegrafi.


