Pacolli kërkon hetim nga SPAK: Aeroporti i Vlorës u gjet i shkatërruar
Biznesmeni dhe presidenti i kompanisë Mabco, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se kompania e tij është rikthyer në kantierin e Aeroportit të Vlorës pas pesë javësh, duke pretenduar se objekti ishte sekuestruar në mënyrë të paligjshme dhe të dhunshme nga grupe që synonin përvetësimin e shoqërisë VIA, ku Mabco zotëron 98 për qind të aksioneve.
Pacolli ka bërë të ditur se rikthimi në kantier është realizuar në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, Gjykatës së Lartë, si dhe pas kërkesave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Sipas tij, gjatë inspektimit të terminalit dhe objekteve përcjellëse janë konstatuar dëmtime të shumta në pajisje dhe infrastrukturë, përfshirë monitorë informues, dyer automatike, panele, sinjalistikë, kuadro elektrike, gjeneratorë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike. Po ashtu, është raportuar mungesa e veglave, materialeve dhe pajisjeve në pronësi të Mabco-s dhe nënkontraktorëve të saj.
Pacolli i ka cilësuar këto veprime si akte vandalizmi dhe sulm ndaj një projekti strategjik kombëtar, duke theksuar se dëmet nuk prekin vetëm kompaninë, por edhe interesin publik, zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve.
Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të nisin hetime të plota për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në dëmtimin e objektit.
Pavarësisht situatës së krijuar, Pacolli ka deklaruar se puna në Aeroportin e Vlorës do të vazhdojë deri në përfundimin e projektit, duke theksuar se investimi do t’u shërbejë qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të rajonit.


