Pabarazi në mbështetje - AKB kritikon ndarjen e 100 eurove për sektorin privat
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim për trajtimin e pabarabartë të punëtorëve në Kosovë, duke kritikuar dallimet në mbështetjen financiare ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Sipas AKB-së, Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërtojë politika sociale dhe ekonomike të qëndrueshme duke favorizuar vetëm një pjesë të punëtorëve, ndërsa lë anash sektorin që mban barrën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe mbushjes së buxhetit të shtetit.
AKB thekson se në Kosovë ka rreth 320–330 mijë punëtorë në sektorin privat dhe rreth 90 mijë në sektorin publik, duke shtuar se “sektori privat mbetet punëdhënësi më i madh dhe kontribuuesi kryesor në krijimin e të hyrave buxhetore përmes tatimeve, TVSH-së, kontributeve pensionale, prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve.”
AKB ka paraqitur edhe një krahasim financiar, duke deklaruar se “nëse llogaritet një pagë e 13-të ose shpërblim me mesatare rreth 780 euro për rreth 90 mijë punonjës të sektorit publik, kostoja për buxhetin vlerësohet të jetë rreth 70 milionë euro.”
Ndërkohë, sipas tyre një mbështetje prej vetëm 100 euro për rreth 330 mijë punëtorë të sektorit privat do të kushtonte rreth 33 milionë euro, ose afërsisht gjysmën e kostos së një mase të tillë për sektorin publik.
AKB ngre pyetjen publike: “Si mund të shpërblehet vetëm një kategori e punëtorëve nga buxheti i shtetit, kur buxheti mbushet kryesisht nga puna, prodhimi dhe aktiviteti ekonomik i sektorit privat?”
Në reagim, Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se “punëtori i sektorit privat nuk është qytetar i rendit të dytë. Ai është po aq taksapagues, votues dhe konsumator, sa edhe punëtori i sektorit publik.”
Sipas AKB-së, krijimi i standardeve të ndryshme për qytetarët “rrezikon të krijojë pabarazi ekonomike dhe sociale”, ndërsa kërkon “trajtim më të balancuar ndërmjet sektorit publik dhe privat, mbështetje të drejtpërdrejtë për punëtorët e sektorit privat, politika që forcojnë prodhimin, investimet dhe vendet e punës si dhe dialog institucional me komunitetin e biznesit para çdo vendimi me ndikim të madh ekonomik.”
Në fund të deklaratës, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thekson se “nuk mund të ketë shtet të fortë me sektor privat të dobësuar. Sektori privat nuk është vetëm burim i taksave – ai është motori i ekonomisë së Kosovës”. /Telegrafi/


