Please enter at least 3 characters.

Osmani priti gjeneral Lange dhe përfaqësuesen e NATO-s: Kontributi i tyre, i çmuar për vendin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Dr. Sven Lange, si dhe përfaqësuesen e NATO-s, Blanca Hereza Atienza.

Gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

Ajo vlerësoi veçanërisht mbështetjen e NALT-it në zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe në profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë të këtij bashkëpunimi në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të vendit.

Presidentja vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e gjeneral Lange, i cili po përmbyll mandatin e tij njëvjeçar si Drejtor i NALT-it, duke e falënderuar për punën dhe përkushtimin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për paqe, stabilitet dhe vlera euroatlantike, si dhe për integrimin në NATO.

Takimi vjen në një moment ku Kosova thekson rëndësinë e partneritetit me Aleancën Veri-Atlantike për siguri dhe zhvillim institucional.