Orkat sulmojnë një jaht në brigjet e Spanjës, i copëtojnë timonin – ekuipazhi ukrainas përjeton momente paniku
Një tufë orkash ka goditur në mënyrë të përsëritur një jaht me vela në brigjet veriperëndimore të Spanjës, duke i dëmtuar rëndë timonin dhe duke detyruar ekuipazhin të kërkojë ndihmë.
Pamjet dramatike tregojnë katër orka që notojnë rreth jahtit 42-këmbësh Seika, ndërsa e godasin vazhdimisht në pjesën e pasme. Në video dëgjohen pesë anëtarët ukrainas të ekuipazhit duke bërtitur të tmerruar: “O Zot, o Zot”, teksa kafshët vazhdojnë të qarkullojnë rreth anijes.
Gjatë përplasjes, një pjesë e madhe e timonit këputet dhe del në sipërfaqe. Orkat dëmtuan gjithashtu pjesë të strukturës prej poliesteri, duke e lënë jahtin me aftësi të kufizuara për manovrim, transmeton Telegrafi.
Incidenti ndodhi rreth orës 19:00, pranë Picamillo në Galicia, ndërsa Seika po lundronte drejt portit të Baionës pas përfundimit të regatës Ignacio Montenegro Trophy, ku kishin marrë pjesë rreth 30 varka.
Shërbimi spanjoll i shpëtimit detar u alarmua dhe përgatiti një mjet për ndërhyrje, por jahti arriti të kthehej vetë në breg. Pesë personat në bord nuk pësuan lëndime, ndërsa anija tashmë ka nevojë për riparime.
Sulmi vjen në një periudhë kur orkat iberike po rikthehen në brigjet e Galicisë. Sjellja e pazakontë e këtyre kafshëve ndaj varkave është dokumentuar që nga viti 2020 dhe në shumë raste ato janë përqendruar veçanërisht te timonët.
Sipas raportimeve, gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar më shumë se 700 ndërveprime mes orkave dhe mjeteve lundruese. Rreth 250 varka janë dëmtuar, ndërsa të paktën nëntë janë fundosur pas përplasjeve.
Vetëm disa javë më parë, një tjetër jaht u fundos pranë Estaca de Bares pasi pësoi dëmtime në timon gjatë një ndërveprimi me orkat. Dy personat në bord u shpëtuan nga një varkë aty pranë dhe nuk pësuan lëndime.
Në korrik, një tjetër incident në të njëjtën zonë përfundoi me fundosjen e jahtit Idem, pasi timoni u shkatërrua nga orkat dhe anija nisi të merrte ujë. Dy personat në bord u evakuuan në mënyrë të sigurt.
Fenomeni ka ngritur shqetësime të vazhdueshme për sigurinë e lundrimit në brigjet e Spanjës dhe Portugalisë, veçanërisht gjatë periudhave kur grupet e orkave të njohura si “Gladiset” afrohen në rrugët e zakonshme të jahteve.
Edhe pse shkencëtarët kanë dokumentuar sjelljen e tyre dhe përpjekjet për të kuptuar shkaqet e ndërveprimeve, për marinarët përplasja me një tufë orkash mund të kthehet brenda pak sekondash në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme. /Telegrafi/


