Orhan Lopar mori pjesë në manifestimin e serbëve më 24 maj në Jabllanicë?
Më 24 maj 2025, rreth 1 mijë serbë u mblodhën në Manastirin e Krye-engjëjve të Shenjtë, në Jabllanicë, në manifestimin “Drejt Vidovdanit”.
Në këtë manifestim sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi” brenda Policisë së Kosovës, mori pjesë edhe Orhan Lopar, i cili është në mision diplomatik në Turqi, përkatësisht Sekretar i tretë i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll.
Vetë Lopar mohon se ishte pjesë e manifestimit, duke thënë se ai ndodhej në Stamboll.
“Unë në atë manifestim? Mos jeni gabim zonja, unë jam në Turqi në Stamboll”, ka thënë ai.
I pyetur nëse më 24 të këtij viti, ka qenë në Kosovë, ai është përgjigjur me jo.
“ Jo, jo, unë jam në Stamboll”, është shprehur ai.
Megjithatë, kur kupton se “Betimi për Drejtësi” posedon foto ku sipas burimeve, është ai, Lopar ndërron qasjen duke u interesuar se nga e kemi siguruar numrin?
“Gazetarja: Ne i kemi siguru disa foto ku ju shiheni në këtë manifestim.
Lopar: Kush jeni ju?
Gazetarja: Të tregova në fillim, jam Albijona Hoxhaj, gazetare prej Betimi për Drejtësi.
Lopar: Po
Gazetarja: Dhe i kemi siguruar disa foto ku shiheni ju në Manastirin e Krye-engjëjve të Shenjtë në manifestimin e serbëve që është me emrin “Drejt Vidovdanit”. A keni pas ndonjë arsye pse keni shku në këtë manifestim?
Lopar: Prit, s’po kuptoj juve, s’po kuptoj juve me 24 maj. Cilën ditë i bjen ky.
Gazetarja: Më 24 maj 2026, keni qenë apo jo në Kosovë?
Lopar: A mundeni me e dërgu foton njëherë me e pa? A mundeni me dërgu fotot…
Gazetarja: Po keni qenë apo nuk keni qenë në Kosovë?
Lopar: Jo, unë jam në Turqi, unë po jetoj në Turqi. Ku e keni gjet telefonin tem, telefonin tem ku e keni gjet ju?
Gazetarja: Po s’është e rëndësishme nga e kemi gjet numrin?
Lopar: Jo bre zonja, se s’mundeni me thirrë qashtu, pa me tregu telefonin ku e keni gjet?
Gazetarja: Po s’është e rëndësishme, ne po iu pyesim një pyetje shumë të thjeshtë, keni qenë apo jo në këtë manifestim?
Lopar: Jo bre është, jo, jo. Ju kërkoj falje, unë po jetoj në Turqi edhe s’mundeni kështu me thirrë njerëz”, është shprehur tutje ai.
“Betimi për Drejtësi”, i ka dërguar njërën foto duke e pyetur nëse është ai, por Lopar është përgjigjur me “Jo”.
Përderisa Lopar insistonte që ai jeton në Turqi dhe nuk ishte në Kosovë, Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim ka thënë të kundërtën.
“Bazuar ne te dhënat e pranuara nga ju për personin e potencuar nga ana e juaj, i njëjti sipas sistemit BMS tregon se me datën 26/05/2026 ka qenë në Kosovë. Kjo përgjigje NUK e konfirmon se O. L ka qenë pjesëmarrës në manifestimin e potencuar sipas kërkesën suaj në vijim”, ka thënë Policia në përgjigjen e tyre.
“Betimi për Drejtësi”, për të sqaruar edhe me mirë këtë situatë, ka kërkuar sërish nga Policia të di nëse 26 maji ishte data e hyrjes apo e daljes së tij nga Kosova?
“Në Sistemi për Menaxhimin e Kufirit, është verifikuar personi për te cilin keni pyetur, i cili është regjistruar në dalje të RKS-së me datë 26.05.2026”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Pra, Orhan Lopar kishte dalë nga Kosova dy ditë pas këtij manifestimi, ndonëse vetë ai mohonte të ketë qenë në Kosovë.
“Betimi për Drejtësi” merr vesh se informatat që Lopar ishte në këtë manifestim, i kanë edhe institucionet e sigurisë.
Ndërsa mbetet e paqartë se cila ishte arsyeja që Orhan Lopar, insistonte me ngulm që nuk kishte qenë në Kosovë.
Në këtë manifestim, Policia e Kosovës kishte arrestuar 6 persona, të cilët po tentoni që të vendosni flamurin serb.
Sipas përgjigjes zyrtare nga Policia, të arrestuarit, nuk ishin qytetarë të Republikës së Kosovës, por të ardhur nga Beogradi.
Ndërsa, “Betimi për Drejtësi” mëson se një prej tyre, ishte i pajisur edhe me kartelë të MUP-it serb. Policia iu ka shqiptuar gjobë për kundërvajtje.
Orhan Lopar, ka qenë anëtar i Partisë Demokratike Turke, ish-nënkryetar i Kuvendit Komunal në Prizren dhe më parë edhe pjesë e divizionit për Azinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.


