“One”, albumi i ri i “Trojës”
Adhuruesit e rock grupit të njohur për hitet “Amaneti i Clownit”, “Mbretëresha kohë”, “Demokracia”, shumë shpejt do të kenë rastin t’i dëgjojnë këngët e reja të rockerëve të tyre të preferuar.
“Troja” veçse e ka bërë publik emrin e albumit të ri. Lansimi i këngëve të reja nën albumin e titulluar “One” është paralajmëruar nëpërmjet llogarisë zyrtare të bendit në “Facebook”, shkruan sot Koha Ditore.
“Albumi më i ri ‘One/Një’ së shpejti në iTunes dhe CD”, është postimi që kanë bërë trojanët në rrjete sociale gjatë ditës së enjte. Ky postim është shoqëruar me një fotografi të kopertinës së albumit të tretë të “Trojës”.
Promovimi i albumit, që vjen pas dy albumeve të mëhershme, “People” (i realizuar më 2003) dhe “Amaneti i Clownit” (2009), gjatë muajit tetor ishte paralajmëruar se do të bëhet me 12 koncerte nëpër qendra shqiptare.
Frontmeni Bujar Berisha, që asokohe nuk kishte zbuluar titullin e albumit, kishte paralajmëruar se temat në “One” do të jenë të ndryshme.
“Albumi ka tema sociale, por të fushave të ndryshme. Për shembull, nis prej demokracisë që të gjithë e dimë si është, e deri te mbrojtja e identitetit kombëtar prej feve e tendencave për të na portretizuar si diçka tjetër”, kishte thënë ai.


