Offset flet për herë të parë pas të shtënave: Jam i bekuar që ende lëviz
Reperi i grupit Migos, Offset, ka thyer heshtjen dy javë pasi u qëllua jashtë një kazinoje në Florida, duke thënë se ndihet “i bekuar” që i ka mbijetuar ngjarjes dhe është ende në gjendje të lëvizë.
Në një intervistë për podcast-in Creators Inc., e realizuar vetëm pak ditë pas incidentit, 34-vjeçari tregoi se plumbi e ka prekur në zonën e ijes, por lëndimi nuk ishte fatal.
Ai u shpreh se po fokusohet te rikuperimi dhe nuk kërkon keqardhje, shkruan DailyMail.
“Më qëlluan në ije. Jam i bekuar që mund të vazhdoj të lëviz. Shfaqja nuk ndalet”, tha ai, duke shtuar se po vazhdon jetën dhe punën në muzikë.
Offset gjithashtu ka vazhduar aktivitetet e tij artistike, duke performuar në Coachella vetëm disa ditë pas ngjarjes, ku u ngjit në skenë me karrocë me rrota, por arriti të performojë edhe në këmbë në disa pjesë të koncertit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për incidentin, ndërsa ende nuk janë konfirmuar plotësisht rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/


