Please enter at least 3 characters.

​OEK kërkon veprime urgjente për mbështetjen e fermerëve dhe publikimin e analizave për qumështin “Vita”

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të ndërmarrë veprime urgjente për mbështetjen e fermerëve, prodhuesve dhe përpunuesve vendorë. Po ashtu, OEK kërkoi që analizat për qumështin “Vita” të publikohen sa më shpejt nga ana e AUV-it, në mënyrë profesionale dhe të pavarur.

Të mërkurën, Oda Ekonomike e Kosovës organizoi një takim me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës dhe fermerë të vendit, ku u shprehën pakënaqësi lidhur me zhvillimet e fundit nga Ministria e Bujqësisë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se institucionet duhet të kenë kujdes në çdo deklarim dhe veprim administrativ ndaj prodhuesve vendorë.

“Kërkojmë me urgjencë nga qeveria që të ndërmarrë veprime urgjente për mbështetjen e fermerëve, prodhuesve, përpunuesve, nëpërmjet politikave fiskale, administrative. Të ndërmarrë veprime urgjente për të zgjidhur problemin e daljes së prodhimeve tona, të qumështit në tregje jo vetëm rajonale po sidomos në tregun e BE-së. Të ketë kujdes në çdo deklarim por edhe çdo veprim administrativ që merr të respektohet prodhuesi, nuk jemi kundër kontrolleve, jemi për një transparencë dhe bashkëpunim të plotë. Kërkojmë në rastin konkret të Vitës, kam shumë presion që të bashkëpunoj Vita me vende të tjera, kërkoj me urgjencë që së më shpejt të dalin analizat në mënyrë profesionale dhe të pavarura”, tha Rafuna.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, u shpreh se janë në mbështetje të prodhuesve vendorë dhe se kërkojnë që raportimet të bëhen vetëm mbi bazë ligjore.

“Ne si shoqatë e prodhuesve të Kosovës jemi afër jush, ti dëgjojmë brengat dhe shqetësimet e juaja. Kemi përcjellë me vëmendje situatat e juaja, kemi edhe disa informata për raportime që po kërkohen dhe nuk jemi kundër. Çka po kërkojmë ne, vetëm ajo pjesë që ka bazë ligjore dhe ta krijojmë në bashkëpunim një forma\t që nuk del jashtë kompetencave ligjore si ministri dhe AVUK. Ne i mbrojmë prodhuesit vendor me atë që krenohemi ne dhe konsumatorët e bashkëpunëtorët.. Apeli jonë është që mos ti dëmtojnë prodhuesit vendor duke aluduar në temat e tyre se nuk ka prodhim cilësor në Kosovë”, tha Ajvazi.

Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahijaj, tha se kompania është e hapur për marrjen e mostrave dhe se të gjitha proceset janë të deklaruara sipas ligjit.

Ai tregoi se edhe të martën dy inspektorë kanë marrë gjashtë mostra të tjera.

“Me datë 7 korrik kanë ardhur dy persona i kanë marrë gjashtë mostra. Ne nuk jemi kundër për mostra, ne jemi të hapur. Kurse atë ditë kur kanë ardhur kanë marrur vetëm një mostër qumështit 3.2 VITA.. 9:23 kam dërguar edhe grumbullimin e qumështit ndër vite, kompania jonë në 2023 14 milion litra ka marrë qumësht prej vendorëve, 2024 14 milion, 2025 19 milionë litra. Ministër qiti emrat e fermerëve që ti kam dërguar në email, për me qitë një artikull duhet të merresh leje prej AVUK-ut, nuk është e vërtetë që po shesim dhe nuk janë të deklaruara, janë me data dhe procesi se si e kërkon ligji. Tregoj popullit që nuk i ke të vërteta ato që i ke thënë. Trego që këshilltarja jote ka qernë në vizitë janë kamerat që është pjesëmarrëse”, u shpreh ai.

Edhe fermerët e pranishëm në takim shprehën shqetësimet e tyre, duke thënë se situata e krijuar ka shkaktuar humbje të mëdha për ta.

Fermeri Fidan Krasniqi tha se fermerët janë bërë pjesë e një sulmi të paprecedent, siç u shpreh ai, dhe se qumështi është derdhur jo nga dëshira, por nga pamundësia për ta plasuar në treg.

“Kemi qenë pjesë e një sulmi që është i paprecedent. Kemi derdhë qumësht është e vërtetë, nuk e kemi derdhur prej dëshirës por prej hallit. Nga dita e premte vetëm ferma ime mbi 10 mijë litra qumësht ka humbur, kemi derdhur dhe falur. Me qumësht të freskët nuk mund të krijosh stoqe. E mbështesim çdo iniciativë të mirë, por jo luftën hibride që është duke u shkaktuar çoftë edhe prej institucioneve tona publike po na luftojnë për momentin. Është krijuar ideja që ne po prodhojmë helm, me pas mundësi kisha ardhur me një rekomandim që urgjentisht të nxjerrët një ligj, kjo është vepër penale çka po ndodh”, tha Krasniqi.

Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, një javë më parë kanë inspektuar Qumështoren Vita dhe si rezultat i saj, menaxhmeni i kësaj kompanie mori vendim për mbylljen e përkohshme të fabrikës. Por, dje pas një proteste dhe një marrëveshje në mes Ministrisë së Bujqësisë dhe fermerëve, është ripahur Vita për grumbullimin e qumështit. /KP/