Please enter at least 3 characters.

Nuk ka marrëveshje për Kodin Zgjedhor, LSDM dhe "E Majta" do të dorëzojë mijëra amendamente

kuvendi mk
kuvendi mk
kuvendi i maqedonisë

Edhe pas takimit të sotëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend – nuk ka marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kontestues mbeti votimi elektronik i diasporës, i cili ishte “vija e kuqe” e OBRM-PDUKM për marrëveshje, por edhe plotësisht i papranueshëm për LSDM-në. Koordinatori i grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski, pret që Kodi Zgjedhor të mbetet i bllokuar dhe që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shkohet me rregullat ekzistuese zgjedhore.

“Ajo që mbeti si pikë e pakalueshme është vërejtja e LSDM-së për votimin elektronik të diasporës. Ky model që është skenar në kodon Zgjedhor është i papranueshëm për LSDM dhe me keqardhje mund të konstatoj se bisedimet përfunduan pa sukses. Për këtë arsye sot caktohet Komisioni për Sistem politik ku siç është paralajmërua pres të ketë bllokim nga LSDM dhe E Majta”, theksoi Nikolla Micevski, OBRM-PDUKM.

E opozitarja LSDM tashmë i ka gati 10 mijë amendamentet për Kodin Zgjedhor.

Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se nuk do të lejojnë miratimin e Kodit Zgjedhor në një formë që, sipas tij, hap dyshime serioze për abuzime, parregullsi dhe cenim të legjitimitetit të procesit zgjedhor.

“Ky ndryshim ligjor, me të cilin futet një mënyrë e tillë votimi elektronik për diasporën tonë, nuk e dimë sa mijëra njerëz janë, 100, ndoshta 200 mijë njerëz, hap mundësi për abuzim, për votim të kontrolluar, që një person të votojë në emër të disa personave. Të kujtoj opinionin publik se ky ligj vjen nga një parti e njohur mirë për abuzime në procesin zgjedhor”, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar LSDM.

Nga ana tjetër, Levica 3500 ka përgatitur amendamentet, por për arsye tjetër – financimin shtetëror, gjersa mendojnë se tema e votimit të diasportës është e koordinuar mes LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së.

“Gjithë ky proces të cilin LSDM që nga fillimi e bojkotonte, e tani do ta “filibasterojë”, mendojmë dhe kemi indicie që është justifikim kundër Levicës nga dy partitë më të mëdha, që përsëri të mbetemi pa financim shtetëror, sepse në rast të këtillë, e vetmja që humb është Levica, sepse mbeten rregullat joparimore të diskriminimit politik”, pohoi Dimitar Apasiev, "E Majta".

Mickoski duke folur për këtë, tha se është pranuar çdo kërkesë e Levicës, por i akuzoi për politika dyfytyrëshe.

“Ku nisi problemi… kur partia politike Levica tha që ne nuk do të nënshkruajmë, ju nënshkruani, ne nuk do të bëjmë filibastering, ju lirshëm votojeni dhe kështu të kalojë. Çfarë mesazhi dërgojnë më këtë?! Ne e morëm atë që deshëm, punuam gjatë gjithë kohës me pafytyrësi, tash tërhiqemi që të tregohemi para atyre që na mbështesin, se ja ne jemi me rrënjë të thella, robespierë, a ku di unë çfarë, e në fat se mace pranuan gjatë debatit”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Amendamente do të dorëzojë edhe LDP. Monika Zajkova tha se nëse nuk sqarohet deri në fund procesi i kontrollit të votimit, atëherë procesi zgjedhor ndoshta do të ishte votim në letër të bardhë.