Nuk është vetëm mbipesha problem: Edhe muskujt ndikojnë në rrezikun e diabetit
Studimi, i publikuar në revistën prestigjioze Diabetes Care, analizoi të dhënat shëndetësore të afro 480 mijë të rriturve përgjatë 14 vjetëve. Të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin diabet në fillim të studimit
Studiuesit nga Qendra e Ekselencës për Shëndetin e Popullatës dhe Demencën në Institutin Curtin enAble zbuluan se personat me përqindje të lartë të yndyrës trupore dhe shëndet të dobët të muskujve, një gjendje e njohur si obezitet sarkopenik, kishin më shumë se 3.5 herë më shumë gjasa të zhvillonin diabetin e tipit 2 krahasuar me personat që kishin një përbërje të shëndetshme trupore.
Po ashtu, u konstatua se personat me obezitet sarkopenik kishin 19 për qind më shumë rrezik për diabet të tipit 2 sesa ata që kishin vetëm obezitet dhe 91 për qind më shumë rrezik krahasuar me personat që kishin vetëm sarkopeni, pra masë dhe forcë të ulët muskulore.
Për diabetin, shëndeti i muskujve është po aq i rëndësishëm sa pesha trupore
Autori kryesor i studimit, dr. Zhongyang Guan, tha se këto rezultate sfidojnë bindjen e deritanishme se rreziku për diabet përcaktohet kryesisht nga pesha trupore.
"Shumica e njerëzve e dinë se mbipesha rrit rrezikun për diabet të tipit 2, por gjetjet tona tregojnë se shëndeti i muskujve është po aq i rëndësishëm. Personat me yndyrë të tepërt trupore dhe masë të ulët muskulore kishin rrezik dukshëm më të lartë për zhvillimin e diabetit sesa ata që kishin vetëm obezitet. Kjo tregon se, gjatë vlerësimit të rrezikut për diabet, nuk duhet të fokusohemi vetëm te numri në peshore. Ruajtja e forcës dhe masës muskulore mund të jetë po aq e rëndësishme sa kontrolli i peshës trupore", tha dr. Guan.
Sipas tij, studimi tregoi se gati 15 për qind e personave me obezitet sarkopenik zhvilluan diabet të tipit 2 brenda dhjetë vjetëve. Lidhja ishte veçanërisht e fortë te gratë dhe te personat nën moshën 60 vjeç, transmeton Telegrafi.
Ruajtja e muskujve mund të ndihmojë në uljen e rasteve me diabet
Rezultatet mbështesin një qasje më të gjerë për parandalimin e diabetit. Edhe pse profesionistët shëndetësorë zakonisht monitorojnë peshën trupore dhe obezitetin, studimi sugjeron se vlerësimi i shëndetit të muskujve mund të ndihmojë në identifikimin më të hershëm të personave me rrezik të lartë.
"Ndërsa popullsia po plaket dhe normat e obezitetit vazhdojnë të rriten, ruajtja e shëndetit të muskujve përmes aktivitetit të rregullt fizik dhe një stili të shëndetshëm jetese mund të luajë një rol të rëndësishëm në uljen e barrës së diabetit të tipit 2", tha udhëheqësi i lartë i projektit, profesori Mario Siervo.
Pse muskujt janë kaq të rëndësishëm?
Gjetjet e studimit theksojnë rolin thelbësor që muskujt kanë në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, duke konfirmuar edhe atë që profesionistët shëndetësorë kanë vërejtur prej kohësh në praktikë.
"Muskujt përdorin një sasi të madhe glukoze si burim energjie dhe aktivizimi i tyre gjatë aktivitetit fizik është një mënyrë shumë efektive për të larguar glukozën nga gjaku dhe për të rregulluar nivelin e saj. Aktiviteti fizik gjithashtu zvogëlon rezistencën ndaj insulinës, një faktor kyç në diabetin e tipit 2. Sa më shumë masë muskulore të kemi dhe sa më shpesh t'i aktivizojmë muskujt, aq më mirë organizmi ynë është i pajisur për të parandaluar ose kontrolluar diabetin e tipit 2", shpjegoi Jessica Weiss, menaxhere e shërbimeve klinike në organizatën Diabetes Western Australia. /Telegrafi/


