"Nuk është vendim i lehtë” – Ancelotti flet hapur për ftesën e Neymarit dhe listën e Brazilit për Botëror
Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se vendimi nëse do ta përfshijë Neymarin në skuadrën për Kupën e Botës 2026 po e “mendon shumë” dhe i rëndon në aspektin e vendimmarrjes.
Pavarësisht statusit legjendar të sulmuesit të Santosit, tekniku italian po balancon problemet e fundit fizike të lojtarit me talentin e tij të padiskutueshëm, teksa turneu po afrohet.
Ancelotti e ka përfshirë Neymarin në listën paraprake prej 55 lojtarësh për Botërorin, por këtë numër do ta reduktojë në 26, kur ta shpallë listën përfundimtare më 18 maj.
“Kur duhet të zgjedhësh, duhet t’i marrësh parasysh shumë gjëra", shpjegoi Ancelotti në një intervistë ekskluzive për Reuters.
“Neymar është një lojtar i rëndësishëm për këtë vend për shkak të talentit që ka treguar gjithmonë. Ai ka pasur disa probleme dhe po punon fort për t’u rikuperuar.
“Ai është përmirësuar shumë kohët e fundit dhe po luan rregullisht. Natyrisht, për mua nuk është një vendim i lehtë. Duhet t’i peshojmë me kujdes anët pozitive dhe negative, por kjo nuk më vendos presion”.
“Ne po i vlerësojmë jo vetëm Neymarin, por të gjithë lojtarët, tash e një vit. E di shumë mirë që Neymari pëlqehet shumë, jo vetëm nga publiku, por edhe nga lojtarët”.
“Edhe kjo është një faktor, sepse duhet ta marrim parasysh atmosferën që do ta shoqërojë ftesën e Neymarit”.
“Nuk është sikur do të hedh një ‘bombë’ në dhomën e zhveshjes. Ai pëlqehet shumë, është shumë i dashur. Mendoj se është normale që lojtarët ta shprehin mendimin e tyre”, përfundoi Ancelotti./Telegrafi/


