Mbyllet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit - i njëjti nuk pranon akuzat
E plotësuar: Ka përfunduar seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Sheholli ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe se e ndjen veten të pafajshëm.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Mentor Neziri ka bërë të ditur se mbrojtja tërhiqet nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës.
“Ne tërhiqemi nga e drejta e hudhjes së aktakuzës. Dëshirojmë të fillojmë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor, posa Gjykata ta ketë mundësinë që ta shqyrtojë këtë seancë”, ka deklaruar avokati.Gjykata njoftoi palët se ato do të informohen me kohë për datën dhe kohën e shqyrtimit gjyqësor, pasi të përfundojnë procedurat për caktimin automatik të trupit gjykues.
-----
Nis seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, në sallë i pranishëm edhe Nenad Rashiq
Në Gjykatën Themelore ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.
Në seancë është i pranishëm edhe ministri në detyrë Nenad Rashiq, në cilësinë e të dëmtuarit.
Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.
Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.
Prokuroria pretendon se Sheholli kishte mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. /Telegrafi/


