Nis në Prishtinë konferenca rajonale për kripto-asetet dhe paranë digjitale
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka hapur punimet e Konferencës Rajonale për Kripto-asetet dhe Paranë Digjitale, me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, e cila po mbahet në Prishtinë më 3 dhe 4 qershor.
Konferenca mbledh përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), guvernatorë dhe përfaqësues të bankave qendrore të rajonit, drejtues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të komunitetit akademik dhe ekspertë të financave digjitale.
Ngjarja përkon me vizitën e parë në Kosovë të Tobias Adrian, Krye-Këshilltar Financiar i FMN-së dhe Drejtor i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe të Kapitalit, i cili po merr pjesë në sesione të ndryshme të agjendës dyditore.
Duke hapur konferencën, Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se zhvillimet e shpejta teknologjike po ndryshojnë mënyrën e funksionimit të sektorit financiar global.
“Kripto-asetet, format digjitale të parasë, financat e decentralizuara, inteligjenca artificiale dhe sistemet moderne të pagesave po ndikojnë në mënyrë të thellë në funksionimin e sektorit financiar global”, theksoi Ismaili.
Sipas tij, këto zhvillime krijojnë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit dhe gjithëpërfshirjes financiare, por njëkohësisht paraqesin sfida për stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorëve dhe integritetin e tregjeve.
Guvernatori vlerësoi se për vendet e Ballkanit Perëndimor financat digjitale përbëjnë një mundësi të rëndësishme për modernizimin e shërbimeve financiare dhe afrimin me tregun financiar evropian.
Ai veçoi gjithashtu progresin e Kosovës në modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke theksuar se këto reforma synojnë ofrimin e shërbimeve më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase për qytetarët dhe bizneset.
“Inovacioni financiar duhet të mbështetet nga korniza të qarta, proporcionale dhe të bazuara në rrezik, të cilat mundësojnë zhvillimin e teknologjisë, por njëkohësisht ruajnë stabilitetin financiar, mbrojnë konsumatorët dhe forcojnë integritetin e tregut”, deklaroi Ismaili.
Në fjalimin e tij kryesor, Tobias Adrian theksoi nevojën për ndërtimin e politikave dhe kornizave rregullatore të harmonizuara për të adresuar sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital i financave.
“Është e rëndësishme të ndërtohen korniza të qëndrueshme të politikave dhe rregullimit për të adresuar mundësitë dhe rreziqet që sjell transformimi digjital i financave, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e tregjeve dhe besimin publik”, tha ai.
Një fjalë rasti mbajti edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili foli për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe krijimit të kushteve për zhvillim ekonomik, inovacion dhe stabilitet makroekonomik.
Punimet e konferencës do të vazhdojnë me diskutime profesionale mes bankave qendrore të rajonit, përfaqësuesve të FMN-së dhe sektorit financiar. Në ditën e dytë të agjendës do të prezantohet Raporti Global i Stabilitetit Financiar i FMN-së, ndërsa është paraparë edhe një diskutim publik mes Guvernatorit Ismaili dhe Tobias Adrian në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. /Telegrafi/


