Nis ndarja e mbeturinave në burim dhe në lagjen “7 Shtatori” në Junik
09/09/2026
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se në lagjen “7 Shtatori” ka nisur zbatimi i sistemit për ndarjen e mbeturinave në burim.
Sipas Shehut, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane përmes GIZ-it, në këtë lagje janë shpërndarë shporta të verdha 240-litërshe për mbeturinat e riciklueshme. Banorët janë pajisur gjithashtu me materiale informuese dhe udhëzime praktike për ndarjen e duhur të mbeturinave.
Shehu ka bërë të ditur se pas lagjes “Agim Ramadani”, tashmë edhe “7 Shtatori” është bërë pjesë e këtij sistemi, ndërsa procesi pritet të zgjerohet gradualisht edhe në lagjet e tjera të Junikut.
“Një Junik më i pastër fillon nga secili prej nesh. Bashkë e bëjmë ndryshimin”, ka shkruar Shehu. /Telegrafi/


