Nikli, 90 minuta larg suksesit historik
Ferronikeli dhe qyteti i Drenasit kanë nisur përgatitjet për festë. Te skuadra nga Drenasi dhe në përgjithësi në këtë qytet janë të bindur se Ferronikeli do të marrë pikë në ndeshje me Prishtinën dhe kështu do të sigurojë titullin e kampionit të Kosovës në futboll. Për Ferronikelin do të ishte ky titulli i parë në historinë 41-vjeçare të klubit, shkruan Koha.net
Ndeshja ndërmjet Ferronikelit dhe Prishtinës luhet të dielën (16:00) në Prizren. I takon xhiros së fundit (33) të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Niklit i duhet pikë nga kjo ndeshje për të siguruar titullin.
Një xhiro para fundit, Ferronikeli prin në klasifikim me 66 pikë, tri më shumë se Besa që është e dyta. Besa është ende në garë, por me pak gjasa.
Vetëm në rast se Ferronikeli humb nga Prishtina dhe Besa fiton ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, për titull do të luhej një ndeshje barazhi në fushë neutrale mes Ferronikelit e Besës. Kjo pasi pos që dy skuadrat do të kishin pikë të barabarta do të kishin bilanc tërësisht të barabartë në ndeshjet e ndërsjella. Në një situatë të tillë titulli do të vendosej me një ndeshje barazhi, që nuk ka ndodhur ndonjëherë në vend.
Ferronikeli gati gjatë tërë edicionit ka qëndruar në krye të klasifikimit, megjithëse është përballur me vështirësi që skuadrat tjera të kampionatit të Kosovës nuk i kanë pasur. Pasi stadiumi në Drenas nuk është i gatshëm për lojë, Ferronikeli ndeshjet si vendas kohë të gjatë i ka luajtur në Skënderaj e tani po i luan në Prizren. Skuadra stërvitjet i zhvillon në Prishtinë.
Ky fakt nuk ka penguar skuadrën drenicase që të ketë edicion të suksesshëm. Është fare pranë titullit dhe është në finale të Kupës ku do të luajë me Trepçën '89. Ferronikeli është fitues në fuqi i Kupës, ndërsa mbijetesën në Superligë edicionin e kaluar e siguroi vetëm falë barazhit.
Pritet që shumë adhurues të Ferronikelit nga Drenasi të udhëtojnë në Prizren për të përkrahur skuadrën e nëse fitohet titulli skuadrës do t'i bëhet pritje madhështore në Drenas, në orët e mbrëmjes të së dielës. Festa, e organizuar nga Kuvendi Komunal i Drenasit dhe Ferronikeli do të mbahet në sheshin "Fehmi Lladrovci". "Ne lojtarët në fushë do të kryejmë punën që na takon. Kemi luftuar prej fillimit, me plot meritë kemi mbajtur kreun dhe tani do të bëjmë edhe hapin e fundit për të fituar titullin dhe për të ofruar festë për tifozët tanë dhe për tërë qytetin e Drenasit", ka thënë mesfushori i Ferronikelit, Behar Maliqi. "Ndaj Prishtinës do të luajmë për fitore, ndonëse na mjafton edhe barazimi. Do të hyjmë fuqishëm në ndeshje dhe nuk do t'i lëmë asgjë rastit", ka shtuar ai.
Kapiteni i Ferronikelit, Lapidar Lladrovci, nuk pret befasi, pret që edicioni i dominuar prej skuadrës së tij edhe të fitohet prej skuadrës së tij.
"Jemi duke u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje për rëndësinë e së cilës nuk kemi çka flasim. E dimë forcën e ekipit tonë dhe besojmë shumë në njëri-tjetrin. Do të luftojmë për njëri-tjetrin deri në minutën e fundit që të realizojmë qëllimin tonë, të shpallemi kampion. Prishtina është Prishtinë dhe e respektojmë maksimalisht, por ky edicion ka folur për ne, prandaj edhe do ta çojmë punën deri në fund dhe do të dalim fitues", ka thënë mbrojtësi Lladrovci.
Prishtina deri vonë ishte në garë për titull, por humbi hapin tri xhiro më parë. Është e treta me 55 pikë. Trajneri Ramiz Krasniqi ka thënë se Prishtina do të luajë për vete, as për Ferronikelin as për Besën.
"Do të luajmë për vetveten. Motivi natyrisht është në anën e Ferronikelit, ndërsa ne do të udhëtojmë me skuadër komplete. Ndeshja e xhiros së kaluar sa ishte dëshpëruese për shkak të rezultatit aq edhe më gëzoi në anën tjetër, pasi pashë dy lojtarë të rinj që mund të jenë pjesë e Prishtinës. Bëhet fjalë për Endrit Krasniqin e Lorik Boshnjakun që dëshmuan se kanë vlera. Tani na pret ndeshja e fundit, do t'i qasemi në mënyrë maksimale dhe motivi ynë është imazhi i klubit. Kundërshtarin do ta respektojmë në masën e duhur, por pres të tregojmë futboll të mirë dhe të marrim rezultat të mirë", ka thënë Krasniqi.
Besa në mesjavë u ndal në garat për Kupë nga Trepça '89. Te skuadra pejane kanë pak shpresë se mund të sigurojnë ndeshjen shtesë për titull.
"Shpresa vdes e fundit. Ne do të kryejmë punën tonë në takim me Vëllaznimin që nëse fiton Prishtina mos të na mbetet merak që ne nuk fituam. Gara tani më nuk është në dorën tonë. Nëse fiton Prishtina do të bëhet mirë për ne, nëse jo atëherë do t'ia urojmë titullin kundërshtarit", ka thënë sulmuesi i Besës, Fatih Karahoda. Të dielën luhen të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit. Por garë ka vetëm për titull. Shumë më herët është mësuar se Trepça e Ferizaj do të largohen nga liga për t'u zëvendësuar me Llapin e Lirinë. Në barazh për të siguruar ekzistencën do të luajnë Drita dhe Vëllaznimi me skuadrat që përfundojnë në pozitën tre e katër në Ligën e Parë./KOHA Ditore
E diel (16:00)
Ferronikeli - Prishtina
(Arbitra: B. Kosumi, B. Selimaj, F. Abrashi, M. Baliu)
Vëllaznimi - Besa
(Arbitra: H. Hajdari, D. Preniqi, F. Jakupi, T. Maloku)
Drenica - Trepça
(Arbitra: G. Nuza, B. Morina, M. Berisha, I. Shuleta)
Ferizaj - Kosova (V)
(Arbitra: N. Rraci, E. Baliqi, I. Kabashi, M. Bejtullahu)
Istogu - Hajvalia
(Arbitra: K. Vula, B. Këpuska, B. Rama, B. Jahmurataj)
Drita - Trepça '89
(Arbitra: I. Kelmendi, A. Ejupi, V. Kelmendi, A. Tahiri)


