Nga UÇK-ja te Siria, çfarë zbulon aktgjykimi për bashkëpunimin e Hysri Selimit me BIA-n
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Hysri Selimin për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim, ndërsa aktgjykimi prej 27 faqesh zbulon detaje të shumta për mënyrën se si, sipas gjetjeve të gjykatës, ai bashkëpunoi për vite me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA.
Aktgjykimi i Departamentit Special tw cilin e ka siguruar Telegrafi është përpiluar më 15 korrik 2026.
Selimi është shpallur fajtor për veprën penale në vazhdimësi “Spiunazhi”, ndërsa në dënim do t'i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 6 maji 2025.
Sipas aktgjykimit, bashkëpunimi i Selimit me shërbimin serb kishte nisur në nëntor të vitit 2009 dhe kishte vazhduar deri në ditën e arrestimit të tij.
Në dispozitivin e aktgjykimit thuhet se Selimi, si person i rekrutuar nga BIA, kishte ndihmuar në vazhdimësi punën e këtij shërbimi përmes mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve.
“Nga muaji nëntor 2009 e në vazhdimësi e deri me arrestimin e tij, me dt. 06.05.2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si ‘BIA’), në vazhdimësi e ka ndihmuar punën e shërbimit të tillë”, thuhet në aktgjykim.
Informacionet, sipas gjykatës, kishin të bënin me pjesëtarë të UÇK-së, vrasjet gjatë luftës, persona të radikalizuar dhe shqiptarët që kishin shkuar për të luftuar në Siri.
Një nga pjesët më të rëndësishme të aktgjykimit lidhet me udhëtimin e Selimit në Siri.
Gjykata ka konstatuar se shkuarja e tij atje dhe inkuadrimi në ISIS i ishte kërkuar nga zyrtarët e BIA-s, me qëllim të mbledhjes së informacioneve për shqiptarët që ndodheshin në Siri.
“Rezulton se shkuarja në Siri dhe inkuadrimi në organizatën terroriste ISIS, i është kërkuar nga zyrtarët e BIA-s, përkatësisht i është përcaktuar si mision shkuarja në Siri”, thuhet në aktgjykim.
Sipas deklaratës së Selimit në procedurën paraprake, të përshkruar në aktgjykim, zyrtarët e BIA-s i kishin ofruar 5 mijë euro për të depërtuar në grupet terroriste.
Në dokument thuhet se ai kishte marrë 700 euro para nisjes dhe tre telefona për komunikim.
“I pandehuri deklaroi se ishte nxitur dhe financuar nga zyrtarët e BIA-s, të cilët i kishin ofruar 5.000 euro për të depërtuar në grupet terroriste me qëllim sigurimin e informacioneve”, thuhet në aktgjykim.
Selimi ishte dënuar më herët me katër vjet e tetë muaj burgim për “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”. Sipas vendimit të formës së prerë për atë rast, ai kishte qenë në Siri nga nëntori 2015 deri në maj 2022 dhe pjesë e ISIS-it.
Pas kthimit në Kosovë, sipas aktgjykimit, Selimi vazhdoi kontaktet me zyrtarët e BIA-s.
Ai takohej me ta në Serbi, përfshirë në Vranjë, Nish dhe Bujanoc, ndërsa informacionet kishin të bënin me persona të radikalizuar, rrymat vehabiste në Kosovë dhe mënyrën e organizimit të tyre.
“Si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur me të cilët komunikonte me ta”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Një prej provave që gjykata e konsideroi të rëndësishme ishte monitorimi i Selimit më 18 nëntor 2024.
Sipas raportit të masave të fshehta, Selimi udhëtoi nga Prishtina drejt Gjilanit e Kamenicës dhe më pas kaloi në Serbi përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë.
Në Bujanoc ai u takua me dy persona të identifikuar si zyrtarë të BIA-s. Më pas, të tre shkuan drejt Vranjës, ku zhvilluan takim në një restorant.
Gjykata konstatoi se njëri prej personave ishte I.B., të cilin AKI e kishte identifikuar si zyrtar të lartë të BIA-s dhe përgjegjës në strukturat për luftimin e terrorizmit.
Hetuesit kishin ekzaminuar disa telefona të Selimit. Në njërin prej tyre u gjetën komunikime që, sipas gjykatës, tregonin se ai merrte detyra nga zyrtarë të BIA-s, kryesisht rreth organizimit fetar në Kosovë, personave që frekuentonin xhamitë, imamëve dhe personave që kishin qenë në Siri.
“I dyshuari Hysri Selimi ka shfrytëzuar këtë telefon për komunikime me zyrtarin e BIA-së me nofkën “A.” dhe komunikimin e ka bere përmes rrjetit social Viber. Nga ky komunikim kuptohet qartë se i dyshuari Hysri Selimi me veprimet e tij ka mbledhur informacione në fushën e terrorizimit, duke i dërguar materiale të nxjerra nga rrjetet sociale tek zyrtaret e BIA-së, gjithashtu duke bërë edhe fotografi nëpër xhami të ndryshme në Kosovë”, thuhet në aktgjykim.
Në një telefon tjetër ishin gjetur 206 fotografi të veçuara nga hetuesit, përfshirë fotografi të komunikimeve dhe dorëshkrimeve.
Sipas gjykatës, në këto shënime përshkruheshin marrëveshjet me zyrtarët e BIA-s. Po ashtu, gjykata thotë se Selimi kishte grumbulluar të dhëna të hollësishme për personat që kishin qenë në Siri dhe familjarët e tyre.
Në aktgjykim përshkruhet edhe deklarata që Selimi kishte dhënë në Prokurori gjatë fazës së hetimeve.
Sipas dokumentit, ai kishte pranuar se kishte vazhduar t'i siguronte informacione një zyrtari të shërbimit serb lidhur me UÇK-në, vrasjet gjatë luftës dhe ngjarje të tjera.
“Vërtetohet se i njëjti ka mbledhur informata nga tereni dhe të dhënat e hapura në internet, i ka grumbulluar të njëjtat dhe i ka dërguar zyrtarëve të BIA-s, dhe atë informatat në lidhje me UÇK-në, vrasjet gjatë luftës, për personat qe kanë marr pjesë në luftë në Siri, vendet ku kanë luftuar dhe nga kush janë udhëhequr, informatat të detajuara në lidhje me personat e rikthyer nga Siria dhe familjaret e tyre, informata në lidhje me grupet radikale fetare në Kosovë, për financimin e tyre, organizimin, se kush i udhëheq të njëjtat dhe kush dhe ku i mban mbledhjet për këto grupe”, thuhet në aktgjykim.
Megjithatë, në qershor të këtij viti, Ish-anëtari i ISIS-it, Hysri Selimi, është dënuar me gjashtë vjet burgim me akuzën për spiunazh në favor të Serbisë. /Telegrafi/


