Please enter at least 3 characters.

Nga puna në bankë në Kupën e Botës: Bankieri që tronditi Spanjën në debutim historik - mori ftesën nga rrjetet sociale

Roberto Lopes mori ftesën për përfaqësimin e kombëtares përmes rrjeteve sociale, ndërsa punonte si bankier në Dublin, dhe sot u bë protagonist në barazimin historik të Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës në Kupën e Botës.

Historia e tij është një nga më të pabesueshmet e turneut 2026 – nga një zyrë banke në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke përfaqësuar një shtet ishullor mijëra kilometra larg vendlindjes së tij.

Nga nëpunës banke në yll futbolli

“Nuk e shijoja atë punë”, kujton 33-vjeçari Lopes, duke përshkruar rrugëtimin e tij nga jeta në zyrë deri te përfaqësimi i Kepit të Gjelbër në debutimin e tyre historik në Kupën e Botës.

Mbrojtësi, i njohur si “Pico”, dikur punonte si këshilltar hipotekor, ndërsa njëkohësisht luante futboll gjysmë-profesionist në Irlandë me Bohemians. Në vitin 2017, Shamrock Rovers i ofruan mundësinë të bëhej futbollist profesionist, duke lënë pas karrierën bankare.

Sot ai është titullar i rregullt i Kepit të Gjelbër, kombëtare që po shkruan histori në debutimin e saj në Kupën e Botës 2026.


Pozita e tij në kombëtare u krijua në mënyrë të pazakontë përmes LinkedIn

Përzgjedhësi atëhershëm Rui Águas e kontaktoi pasi zbuloi origjinën e babait të tij nga Kepi i Gjelbër. Lopes fillimisht e injoroi mesazhin në LinkedIn, duke menduar se ishte 'spam'.

“Më shkroi sërish pas disa muajsh dhe atëherë kuptova se ishte reale. Menjëherë e pranova dhe isha shumë i lumtur që do të përfaqësoja këtë vend”, tregonte ai.


Sot, historia e tij është kthyer në një nga rrëfimet më frymëzuese të turneut, ndërsa Kepi i Gjelbër vazhdon rrugëtimin historik në grup me Arabinë Saudite dhe Uruguain. /Telegrafi/