Nga Prishtina drejt Superligës së Zvicrës: Aurora Cakolli dhe Liza Hoxha nisin provat te Yverdon Sport Women me synimin për kontrata profesionale
Dy prej futbollisteve kyçe të KFV Prishtina, Aurora Cakolli dhe Liza Hoxha, kanë udhëtuar drejt Zvicrës për të nisur një periudhë prove dyjavore me Yverdon Sport Women, duke shënuar kapitullin e parë konkret të partneritetit strategjik ndërmjet dy klubeve dhe duke hapur një rrugë të re për futbollistet e Kosovës drejt futbollit evropian.
Aurora dhe Liza, dy lojtare kyçe të projektit sportiv të KFV Prishtina dhe ndër talentet më premtuese të futbollit të vajzave në Kosovë, pjese e kombëtares U19 të Kosovës, kanë filluar të stërviten dhe të vlerësohen nga stafi teknik i klubit zviceran. Nëse bindin drejtuesit e Yverdon Sport Women gjatë kësaj periudhe, ato mund ta nisin sezonin e ardhshëm si pjesë e ekipit zviceran, duke bërë hapin më të madh në karrierën e tyre sportive.
Ftesa për prova nuk ka ardhur rastësisht. Të dyja futbollistet lanë përshtypje të jashtëzakonshme gjatë dy ndeshjeve miqësore të zhvilluara ndërmjet KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women, ku performancat e tyre tërhoqën vëmendjen e stafit teknik zviceran. Pikërisht ato paraqitje u shndërruan në pikënisjen e këtij hapi të rëndësishëm drejt futbollit profesionist.
Ky zhvillim është rezultat i partneritetit të formalizuar së fundmi në Nyon, në kuadër të aktiviteteve të UEFA Foundation for Children dhe Orllati SA, partneritet që synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për zhvillimin dhe promovimin e futbollisteve të reja nga Kosova në arenën ndërkombëtare.
Bashkëpunimi ndërmjet dy klubeve kishte nisur qysh vitin e kaluar. Në shkurt, me mbështetjen e sponsorit të përbashkët Orllati, KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women organizuan fazën përgatitore të përbashkët në Zvicër, ku futbollistet dhe trajnerët e të dyja skuadrave shkëmbyen përvoja profesionale, zhvilluan seanca të përbashkëta stërvitore dhe e përmbyllën aktivitetin me një ndeshje miqësore mes ekipeve seniore në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Pikërisht aty u hodhën themelet e besimit dhe bashkëpunimit që sot po konkretizohet me mundësi reale për futbollistet kosovare.
Rol vendimtar në ndërtimin e kësaj ure bashkëpunimi ka luajtur Erlinda Orllati dhe kompania Orllati në Zvicër. Përveç mbështetjes së vazhdueshme financiare për KFV Prishtina, kompania ka ndërmarrë një nga investimet më domethënëse në futbollin e vajzave në Kosovë, duke financuar bursa mujore për 15 futbolliste të klubit për një periudhë dyvjeçare.
Përtej këtij angazhimi, Orllati ka qenë edhe ura lidhëse mes KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women, duke mbështetur ndërtimin e partneritetit strategjik dhe duke krijuar mundësi konkrete që vajzat më të talentuara nga Kosova të vazhdojnë karrierën e tyre në futbollin zviceran. Ky vizion afatgjatë dëshmon se investimi në talentet e reja nuk kufizohet vetëm në mbështetje financiare, por shndërrohet në mundësi reale për zhvillim profesional dhe ndërkombëtarizim të karrierës së tyre.
Nga KFV Prishtina vlerësojnë se dërgimi i Aurorës dhe Lizës në prova është vetëm hapi i parë i një projekti shumë më të madh.
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një rrugë të qartë drejt futbollit evropian për vajzat e Kosovës. Aurora dhe Liza janë futbollistet e para që përfitojnë nga ky partneritet, por synimi ynë është që çdo vit gjithnjë e më shumë lojtare të KFV Prishtina të kenë mundësinë të provojnë dhe të ndërtojnë karrierën e tyre në klubet evropiane. Ky është modeli që duam të ndërtojmë: zhvillim, mundësi dhe perspektivë për çdo vajzë që ëndërron futbollin profesionist”, shpjegon Erlinda me plot emocione.
KFV Prishtina ka shprehur mirënjohje për Yverdon Sport Women për besimin e treguar ndaj futbollisteve kosovare, si dhe për kompaninë Orllati dhe Erlinda Orllatin, angazhimi i të cilëve po dëshmon se partneritetet e ndërtuara mbi vizion dhe besim mund të krijojnë mundësi konkrete për një brez të ri futbollistesh.
Partneriteti ndërmjet KFV Prishtina dhe Yverdon Sport Women tashmë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje bashkëpunimi mes dy klubeve. Ai po shndërrohet në një model të ri zhvillimi për futbollin e vajzave në Kosovë, duke krijuar një korridor të drejtpërdrejtë drejt futbollit evropian dhe duke dëshmuar se talenti kosovar, kur mbështetet me vizion dhe partnerë të duhur, mund të arrijë në nivelet më të larta të sportit. /Telegrafi/


