Nga parketi te puna me fëmijët: Fisnik Rugova sjell përvojën e tij për gjeneratat e reja në Prishtinë
Basketbollisti i njohur kosovar Fisnik Rugova, është bërë pjesë e një iniciative të re për zhvillimin e gjeneratave të reja në kryeqytet.
Siç ka njoftuar vet ai përmes rrjeteve sociale, Rugova do të jetë trajner kryesor në “Shkollën e Basketbollit AA Prishtina”, ndërsa regjistrimet tashmë kanë filluar.
Hapja/aktiviteti i radhës do të mbahet të shtunën, më 9 maj 2026, nga ora 14:00, në Shkollën Fillore “Dardania”.
Kjo shkollë basketbolli është e dedikuar për fëmijët e moshës 6 deri në 12 vjeç (djem dhe vajza), ndërsa synon të ofrojë punë të strukturuar në zhvillimin individual dhe lojën ekipore, duke përfshirë edhe aspektet profesionale të disiplinës dhe argëtimit në sport.
Angazhimi i Rugovës në këtë projekt vjen krahas karrierës së tij aktive, duke sjellë përvojën e nivelit të lartë edhe në punën me të rinjtë.
Kujtojmë se gjatë karrierës së tij të pasur si lojtar, Rugova ka veshur fanellën e disa klubeve të ndryshme si Prishtina, Peja, Bashkimi, teksa së fundmi ishte pjesë e Rahovecit.
Sidoqoftë, shkëlqimin më të madh si lojtar ai e arriti te KB Prishtina, ku pjesë e kryeqytetasve ishte në tri periudha të ndara./Telegrafi/


